Ditë zie në Ohër


Me rastin e vdekjes së kryetarit të Komunës së Ohrit, Jovan Stojanoski, sot komuna ka shpallur ditë zie në Ohër, njofton Portalb.mk.

Këshilli i Komunës së Ohrit dje në seancë të jashtëzakonshme miratoi vendimin që të gjitha ngjarjet kulturore, sportive dhe zbavitëse të caktuara për sot të anulohen.

Sot prej orës 10:00 gjithashtu do të mbahet dhe seancë komemorative në Sallën e Madhe të Komunës së Ohrit.

Ndryshe, Sotjanoski ka ndërruar jetë të shtunën, më 15 dhjetor si pasojë e sulmit në zemër.

Mandati i Stojanoskit ka filluar më 20.10.2017, pas fitores në rrethin e parë në zgjedhjet lokale.

Muajin e kaluar ka ndërruar jetë edhe kryetari i Komunës së Dibrës Ruzhdi Lata. Nga ana tjetër, pa kryetar komune është edhe ajo e Novo Sellës për shkak se kryetari i saj, Boro Stojçev u zu duke trafikuar ilegalisht cigare në kufij dhe për këtë ai dha dorëheqje.

Për të tre komunat, pritet që të mbahen zgjedhje të reja.