Ditë e madhe për Besën e Gashit dhe PDSH-në
Në seancën e Kuvendit për sot, deputetët do të duhet të zgjedhin dy ministra dhe dy zëvendësministra e rinj që vijnë nga radhët e Lëvizjes Besa, PDSH-së dhe partisë Demokratike Turke. Lëvizja Besa në ekzekutivin e ri do të drejtojë ministrinë e Kulturës ku me Asaf Ademin, ndërsa Faton Selami nga kjo parti do të emërohet sekretar shtetëror në ministrinë e drejtësisë.
Ish deputeti i PDSH-së, Bardhyl Dauti, pritet të zgjidhet ministër pa resor i angazhuar në ministrinë e Investime të huaja, ndërsa Sadik Beqiri, është nominuar për zëvendës ministër në ministrinë e Transportit dhe Lidhje. Në Qeverinë e re do të ketë ndryshime edhe mes partnerëve të deritanishëm, LSDM-së dhe BDI-së.
Këto dy parti kanë bërë shkëmbime dikasteresh me atë që Renata Deskovska nga Ministria për Arsim dhe Shkencë do të zgjidhet në krye të ministrisë së drejtësisë, dikaster ky që deri më tani është udhëhequr nga kuadër i BDI-së. Vendin e saj në arsim do ta zerë zëvendës ministri i deritanishëm, Arbër Ademi, ndërsa vendi i tij do të ngelet edhe për një kohë i zbrazët pasi aty është planifikuar deputeti i LSDM-së, Petar Atanasov.
Ai detyrën e re do ta marrë pas formimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, të cilët më pas do të duhet të caktojnë deputetin që do të zë ulësen e Atanasovit në Kuvend. BDI-ja do të emërojë edhe zëvendësministrin e shëndetësisë ku kanë emëruar Asim Musën.