Dialogu “Zhan Mone” do të nis nga Maqedonia


Zhan Monea e Parisit do të nisë nga Shkupi, Mavrova ose Ohri. Bisedimet për dialog politik mes subjekteve parlamentare, agjendën dhe parimet partitë do t’i caktojnë në vend, ndërsa më pas për detaje do të dialogojnë në Paris. Ndonëse nuk ka datë konkrete, jozyrtarisht mësohet se takimet do të nisin nga mesi i muajit mars.

Pas takimeve që liderët politik kishin me eurodeputetët, Ivo Vajgëll, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtejnë, subjektet vendase kumtuan gatishmëri dialogu. Partia opozitare VMRO-DPMNE ditë më parë u kthye në punën e Komisionit për Çështje Evropiane, apo thënë ndryshe u kthye aty nga ku filloi bojkotin e punës së Kuvendit. Megjithatë nga partia e Mickoskit njoftojnë shkurt se në takimin me euro-deputetët është potencuar pengesa e dialogut politik. Sipas tyre, dialogun e pengon Qeveria duke ushtruar terror ndaj oponentëve politik. Të pyetur nëse pas takimeve të djeshme, VMRO-DPMNE-ja do të shqyrtojë mundësinë e kthimit në Kuvend, opozita maqedonase nuk kumton qëndrim konkret.

Burime brenda partive parlamentare bëjnë të ditur se prioritet në takimet për dialog politik do t’i kushtohet zhbllokimit të punës së Kuvendit. Në këtë kontekst do të bisedohen ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit dhe përpilimi i Kodit etik, kërkesa këto të shtruara në tavolinë nga ana e euro-deputetëve. Ndërkohë siç mësohet, deputetët vendas kanë kërkuar që në mesin e bisedimeve të përfshihet edhe përpilimi i strategjisë për transparencë fiskale të Kuvendit si dhe pavarësi buxhetore të shtëpisë ligjvënëse.

Ditë më parë Vajgëll dhe Kukan adresuan qëndrime të qarta ndaj shumicës dhe opozitës mbi nevojën e dialogut politik për çështjet me interes shtetëror. Duhet të gjeni gjuhë të përbashkët për çështjet që ndërlidhen me të ardhmen Evropiane. Mesazhi im sa i drejtohet Qeverisë aq i drejtohet edhe opozitës: Duhet të punoni bashkërisht – tha Ivo Vajgëll, Deputet i Parlamentit Evropian.

Shpresoj se vendimet për bojkot të Kuvendit do të mbeten një e kaluar dhe Kuvendi brenda mureve dhe jo jashtë do të jetë vendi i vendimeve politike – u shpreh Eduard Kukan, Deputet i Parlamentit Evropian.

Derisa partitë do të bisedojnë për caktimin e datës për nisjen e dialogut të “Zhan Monesë”, nuk jepen detaje rreth agjendës mbi ligjet reformuese, miratimi i të cilëve kërkon 2/3 e votave. Edhe pas dhjetëra takimeve, VMRO-DPMNE-ja dhe socialdemokratët akoma nuk kanë dhënë sinjale për arritjen e konsensusit nacional.

/Alsat-M/