Dialogu politik nga Parisi zhvendoset në Ohër


Takimi i partive parlamentare të Maqedonisë nuk do të mbahet në shtëpinë e Zhan Mone në Paris, por në Ohër. Vendi i mbajtjes së këtij takimi është konfirmuar edhe nga euro deputeti Ivo Vajgëll, por edhe nga krye parlamentari Talat Xhaferi gjatë një brifingu me gazetarë. Megjithatë data e saktë e mbajtjes së këtij takimi mbetet ende pezull për shkak se agjendën do të duhet ta caktojë Brukseli zyrtar. Zhvendosja e takimit nga Parisi në Ohër ka ardhur me insistim të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Kristijan Mickovski i cili ka vlerësuar se për çështje të brendshme politike duhet të bisedohet në shtëpi dhe jo jashtë vendit.

Ndërkohë kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ka konfirmuar se takimi në kuadër të dialogut nuk do të mbahet vetëm mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së siç u paralajmërua fillimisht, por në të tha se do të marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha partive politike parlamentare në vend, përfshirë edhe VMRO-në. Ai tha se planifikojnë që ky takim të mbahet nga 15 deri në 17 mars, por se këto data nuk janë të definuara pasi pritet konfirmimi nga Bashkimi Evropian, nëse përfaqësuesve të saj siç është edhe eurokomesari Johanes Han, por dhe personat tjerë të cilët ata dëshirojnë që të marrin pjesë, do tu përshtaten datat. Në të kundërtën shtoi Xhaferri, takimi mund të shtyhet për në muajin maj.

Tema në këto bisedime do të jenë ndryshimet në Rregulloren për punën e Parlamentit por dhe Kodi Etik, ndërsa grupet parlamentare mund të propozojnë edhe tema të cilat ata dëshirojnë të diskutohen. Ndryshimet në Rregulloren për punën e Kuvendit kanë për qëllim eliminimin e situatave të cilat janë përsëritur disa herë me bllokimin e Kuvendit nga diskutimet maratonike. Kjo pritet të arrihet përmes eliminimit të interpretimeve të ndryshme të Rregullores dhe dispozitave ligjore. Nga dialogu në Ohër pritet arrihet edhe pavarësia në punën e institucionit më të lartë ligjvënës në vend. Xhaferi në këtë drejtim ka theksuar domosdoshmërinë që buxheti i Kuvendit të mos caktohet nga Qeveria pasi kjo mënyrë nuk i lejon Kuvendit të jetë trup i pavarur dhe kontroll i pushtetit ekzekutiv.

Ditë më parë edhe euro deputetët e pranishëm në konferencën e komisioneve parlamentare për çështjeve evropiane nga vendet e Evropës juglindore që u mbajt në Shkup, thanë se dialogu Zhan Mone nuk përfshin bisedimet për emrin, por do të fokusohen vetëm në rivendosjen e dialogut mes partive politike në vend. / ShenjaTV