“Dhuna në Qendër”, dëgjohen dëshmitarët


Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve ka filluar seanca e sotme për lëndën “Dhuna në Qendër” ku të akuzuar janë ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, këshilltarja e VMRO-DPMNE-së në atë kohë Daniella Rangellova dhe disa të tjerë që kanë qenë pjesë e turmës të cilët më 10 qershor 2013 protestuan para komunës Qendër, transmeton Alsat M.

Dy dëshmitarët Sashka Gjosheva dhe Vesna Millosavlevska që në atë kohë ishin këshilltare nga radhët e LSDM-së, kanë thënë se më 10 qershor ka pasur sulm të organizuar në Komunë nga një turmë e personave të manipuluar. Në dëshmitë e tyre, dy këshilltaret kanë theksuar se policia ka qenë vetëm vëzhgues në heshtje i ndodhive pasi kur është kërkuar nga ana e këshilltareve të LSDM-së të mbrohen, policia është përgjigjur se nuk ka urdhër të veprojë.

Dëshmitarja Gjosheva mes të akuzuarve të cilët kanë qenë prezent në ngjarjen ka përmendur Rangellovën dhe Aleksandër Trajkovskin, ndërsa dëshmitarja Millosavlevska mes të akuzuarve ka njohur Rangellovën, Mitko Pecevin dhe Daniel Trifunovskin.