Detaje për përleshjen e armatosur në Hasanbeg


Mbrëmjen e kaluar, një breshëri plumbash ka shqetësuar banorët e Hasanbegut, në afërsi të shkollës fillore “25 Maji”. Nga rrëfimet jozyrtare të banorëve të lagjes që më vonë policia i konfirmoi, u kuptua se dy palë ishin gjuajtur mes vete në lëvizje, nga makinat e tyre, dhe gjatë përleshjes, një djalosh 22 vjeçar nga Lubeteni i Shkupit është plagosur rëndë në gjoks. Sipas versionit të policisë, një makinë e tipit Mercedes ka qenë në lëvizje, në rrugën Alija Avdoviq, në afërsi të shkollës fillore “25 Maji”. Në një moment, i ishte afruar një makinë tjetër pa targa dhe kishte filluar të gjuajë me breshëri pulumbash të kallashnikovit. Në Mercedes, përveç djalit të plagosur ka qenë edhe një person tjetër i cili e ka kaluar rrezikun e lëndimit të lehtë dhe po vazhdon mjekimin në shtëpi.

“Spitali i Qytetit “Shën Naumi i Ohrit”, dje në orën 12 e 20 të natës, denoncoi se 22-vjeçari J.B nga fshati Luboten është sjellë në spital me plagë nga armë zjarri. Teksa J.B kishte qenë në vozitje rreth rrugës ‘Alija Avdoviç’, persona të panjohur nga një makinë tjetër e kishin gjuajtur me armë, dhe e kishin plagosur në krahëror”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Për shkak të seriozitetit të plagëve, 22 vjeçari ishte transferuar në Spitalin Shtetëror. Prej breshërisë së plumbave, 4 kanë përfunduar në trupin e 22-vjeçarit, duke i shkaktuar lëndime serioze. Pas intervenimit kirurgjik, mësohet se gjendja shëndetësore i është përmirësuar dhe se është jashtë rrezikut për jetë.

Jozyrtarisht, bëhet fjalë për motive hakmarrëse meqë familjet e dy palëve qëmoti kanë konflikte, por policia tha se tek po merret me motivet dhe rrethanat e ngjarjes. /Shenja/