Deskoska nuk pajtohet me vendimin e Gjykatës Supreme


Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska thotë se nuk dëshiron nga pozita e ministrit ta komentoj vendimin e mbrëmshëm të Gjykatës Supreme, sipas së të cilit vendim PSP-ja ka mundur të merr lëndë nga Prokuroria e rregullt, vetëm në 18 muajt e parë.

“Gjykata Supreme mund të sjell mendime juridike kur ka praktikë të ndryshme gjyqësore gjatë zbatimit të ndonjë ligji të caktuar. Unë nuk dua të komentoj vendime gjyqësore nga pozita e ministrit të drejtësisë, por do t’i shtroj pyetjet në vazhdim nga të cilat opinioni vetë do të mund të nxjerrë konkluzione: Vallë në këtë rast ekziston një praktikë gjyqësore ndryshe? Një gjë e tillë nuk ekziston. A gjykojnë gjykata të ndryshme? Jo. Për këto lëndë gjykon vetëm Gjykata Shkupi 1. Vallë në kuadër të gjykatës ka praktika të ndryshme? Jo”, deklaroi Renata Deskoska, për Fokus.

Tani për tani nuk është e qartë se cili institucion formalisht do të mund ta kontestoj vendimin e Gjykatës Supreme.

Sipas vendimit të djeshëm, gjegjësisht mendimit juridik të Gjykatës Supreme, gjykatësit suprem, jo vetëm që vlerësojnë se PSP-ja nuk ka të drejtë të ngrejë padi pas skadimit të 18 muajve nga marrja e bombave, por nuk mund as të merr lëndë nga Prokuroria e rregullt publike. Kjo sipas vendimit të gjykatësve nënkupton se PSP-ja, pasi i ka marrë bombat, ka pasur të drejtë të hetoj dhe të ngrejë padi vetëm në 18 muajt e parë dhe sipas tyre çdo veprim pas këtyre 18 muajve të bie në ujë.