Deskoska: Nuk kemi biseduar se kush do të jetë shef i PSP-së, për këtë vendos Këshilli i prokurorëve publikë


Ministrja e Drejtësisë Renata Treneska Deskoska ende e pret propozimin e VMRO-DPMNE-së për ligjin për PSP-në, por thekson se nuk do të pranojë amnisti të fshehur. Në një intervistë për “Faktor” thotë se deri më tani nuk është biseduar për atë se kush do të jetë prokurori i ri special publik, sepse për këtë vendos Këshilli i Prokurorëve Publikë.

“Në bisedimet e deritanishme aspak nuk është përmendur Katica Janeva, nuk kemi biseduar se kush do të jetë prokurori i ri special publik. Nuk jemi të ngarkuar se a do të jetë Katica, a do të jetë Fatimja, a do të jetë Lençe ose dikush tjetër. Nuk kemi as të drejtë të zgjedhim, sepse sipas propozimit tonë prokurorin special publik e zgjedh Këshilli i prokurorëve publikë. Do të shohim se kush do të konkurrojë, dhe kë do të zgjedhin”, thotë ministrja Deskoska.

Thekson se që në fillim të vitit Qeveria ka përgatitur Propozim ligjin për Prokurorinë Publike në të cilin është rregulluar statusi, autonomia dhe kompetencat e e PSP-së, që ishte dërguar në Kuvend.

“Atë që dëshirojmë ta dërgojmë si porosi është se ky ligj duhet të sillet me koncensus të  gjerë, duke pasur parasysh se Ligji për PSP-në ishte votuar nga katër partitë më të mëdha politike në Kuvend. Është e nevojshme që edhe tani të votohet me mbështetje të gjerë nga opozita dhe për këto shkaqe u nisëm për dialog. Një pjesë e amendamenteve i kemi pranuar, por ka edhe një pjesë të amendamenteve të cilat nuk mund t’i pranojmë, ndërsa ato kryesisht kanë të bëjnë me statusin dhe punën e PSP-së”, thotë Deskoska.

Ministrja thekson se nuk vuajnë nga kompleksi se ligji i përgatitur në grupet e punës në Ministrinë e Drejtësisë duhet të votohet. “Nëse VMRO-DPMNE-ja ofron ligj më cilësor, për të cilin mund të sigurojmë koncensus, por pa çështje kontestuese të cilat u paraqitën në debatin e deritanishëm, ne jemi të gatshëm ta mbështesim”, shton Deskoska.

Gjithçka që do të nënkuptojë cilësi, siç thotë, do të pranojnë, por gjithçka që do të nënkuptojë përpjekje në disa dispozita që të fshihen qëllimet që të marrin amnisti për vepra të caktuara penale kjo nuk mund të vendoset si pjesë e ligjit.

Grupet e punës të pushtetit dhe opozitës më së shumti kontestojnë për nenin 105 të ligjit i cili e rregullon vazhdimin e procedurave dhe fatit të dëshmive nga bisedat e përgjuara.

“Problemi  kryesor që u paraqit ishte që PSP nuk duhet të jetë organ i veçantë, të mos ketë garanci të caktuara për veprimin e tyre të pavarur, ndërsa guri më i madh pengues ishte neni 105 i cili ka të bëjë me hetimet dhe akuzat që për momentin udhëhiqen në PSP. Kishin kërkesa që të gjitha hetimet dhe akuzat të cilat kishin filluar nën 18 muaj të ndalojnë, të gjitha dëshmitë të shkatërrohen dhe praktikisht kjo nënkupton amnisti, dhe një tip të tillë të vendimit nuk mund ta pranojmë”, thotë ministrja Deskoska.