Deputetët pajtohen të marrin më pak shpenzime për rrugë


Deputetët pajtohen që të marrin më pak harxhime për rrugë. Në seancën e Komisionit për Sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, njëzëshëm votuan propozim ndryshimet e ligjit për deputetët. Me propozim ligjin e ri, deputetët u pajtuan që në vend që të marrin 30 për qind nga harxhimet për rrugë, tani do të marrin deri në 20 për qind. Kjo do të thotë se deputetët të cilët udhëtojnë për çdo ditë nga qytetet jashtë Shkupit, tani do të marrin 30 për qind më pak mjete për harxhime rruge. Kryetari i Komisionit Aleksandar Kiracovski, duke arsyetuar propozim ligjin nënvizoi se tani do të jenë minimale mundësitë për keqpërdorimin e parave të qytetarëve.

Aleksandar Kiracovski, LSDM
Nuk ekziston më hapësirë për asnjërin në këtë pushtet, në pajtueshmëri me praktikën e re që e praktikojmë si shumicë e re parlamentare që kushdoqoftë të bëjë keqpërdorim të parave të qytetarëve. Si më të përgjegjshëm në këtë shtet, dua të theksoj se kjo shumicë parlamentare, janë iniciatorë që harxhimet e rrugës të ulen për 1/3 e harxhimeve që ishin paraprakisht. Respektivisht nga 30 për qind të çmimit të lëndës djegëse të kaluar deri më tani, ne propozojmë që kjo përqindje të jetë deri në 20 për qind”.

Deputeti Kiracovski tha se tani çdo udhëtim që do ta bëjnë deputetët për të ardhur në punë do të duhet ta dëshmojnë në disa mënyra.

Aleksandar Kiracovski, LSDM
“Kontrolli do të bëhet ashtu që çdo deputet do të duhet patjetër të dorëzojë llogari fiskale edhe për lëndën djegëse, por edhe për pagesat në pikat rrugore, varësisht nga cili vend vjen aq llogari për pikat pagesore do të duhet të dorëzojë. Të njëjtat deputeti do të obligohet ti paguajë me kartelë kreditore ose debitore e cila është në emër të tij, me atë që anulohet edhe mundësia për keqpërdorim”.

Kiracovski tha se nëse Kuvendi vendos mund të bëhen edhe kartela pri-peid të cilat do të jenë për çdo deputet, me çka manipulimi do të jetë minimal. Në propozim ligjin e ri, po ashtu parashikohet që deputetët që rijnë më largë Shkupit, të mund të vendosin nëse do të dëshirojnë të udhëtojnë për çdo ditë ose po të marrin banesë me qera. Ky ligj u propozua nga deputetët e LSDM-së. Pasi ligji kaloi në lexim të dytë në Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, tani do të duhet të kalojë edhe në seancë plenare./Shenja