Demarkacioni Kosovë -Mali i Zi, Ahmeti: Hap drejt rrugës evropiane


Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi është hap drejt rrugëtimit evropian.

Ahmeti në një postim në Facebook ka thënë se vendimet e drejta jo gjithmonë janë të lehta.

Sipas tij, Kosova dhe rajoni po japin prova se janë të palëkundur në përcaktimin dhe përkushtimin euro-atlantik.

“Kosova dhe rajoni po japin prova se janë të palëkundur në përcaktimin dhe përkushtimin e tyre euro-atlantik, andaj dhe meritojnë vlerësim të menjëhershëm nga Brukseli. Bashkimi Evropian në prill dhe qershor duhet të ofrojë provë konkrete të konsensusit të vendeve anëtare mbi domosdoshmërinë e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ai në postimi e tij Facebook.
Pas shumë peripecive, Kuvendi i Kosovës me 80 vota “pro” e miratoi marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Votimit i parapriu një debat nëntë orësh dje dhe katër përpjekje të pasuksesshme që të votohet sot, me hedhje të gazit lotsjellës nga ana e deputetëve të Vetëvendosjes.