Boshnjakovski: Nuk është caktuar ende një datë për takimin Zaev-Cipras


Takim i ri i kryeministrave të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras ende nuk është caktuar, informoi në konferencën e sotme për shtyp, zëdhënësi qeveritar Mile Boshnjakovski.

Lidhur me paralajmërimet nga Athina zyrtare se në kuadër të negociatave për kontestin për emrin do të kërkojë ndryshim të neneve 3 dhe 49 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, Boshnjakovski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve theksoi se për momentin nuk po bisedohet për diçka të atillë.

Duke komentuar për informatat në mediat greke se pala e Maqedonisë në takimin në Davos ka pranuar gjithçka që është kërkuar nga pala greke, Boshnjakovski theksoi se takimi i kryeministrave të së dy vendeve në Davos ka qenë i qartë dhe transparent dhe gjithçka që është dakorduar është kumtuar në konferencë shtypi pas takimit.

“Gjithçka që është dakorduar kryeministrat publikisht e thanë në konferencën e shtypit e cila mundej të ndiqej edhe publikisht. Ajo që u bë në Davos është hap serioz drejt gjetjes së zgjidhjes së problemit të cilin Republika e Greqisë e ka lidhur me emrin tonë kushtetues. Në mënyrë plotësuese të gjitha gjërat që janë dakorduar në Davos, kryeministri Cipras i tha në konferencë shtypi”, theksoi Boshnjakovski.

Ai nënvizoi se në bisedimet në Davos në fakt është arritur zhbllokim i proceseve euro-integruese të vendit të cilat ishin të bllokuara nga viti 2009.

I pyetur se cilin përcaktimin gjeografik Maqedonia është e gatshme ta pranojë, si dhe lidhur me hapësirën e përdorimit të emrit të dakorduar, zëdhënësi Boshnjakovski si edhe shumë herë deri tani përsëriti se hollësi rreth negociatave në këtë fazë nuk do të kumtojnë.

“Negociatat janë me rëndësi serioze për Republikën e Maqedonisë. Nuk kam se çka të shtoj nga ajo që e tha kryeministri Zaev se jemi të gatshëm për përcaktim gjeografik”, tha zëdhënësi i Qeverisë Boshnjakovski.