Bogdanoviq: Të gjitha përmendoret e ‘Shkupi 2014’ janë vendosur në mënyrë të paligjshme


Kryetari i komunës Qendër Sasha Bogdanoviq në një intervistë për Faktor flet për përmendoret e projektit ‘Shkupi 2014’. Ai paralajmëron se informata të sakta do të publikohen gjatë javës që vjen ndërsa pohon se të gjitha përmendoret e këtij projekti janë të vendosura në mënyrë të paligjshme.

“Procesi i përcaktimit të ligjshmërisë në procedurat për vendosjen e përmendoreve të projektit ‘Shkupit 2014’ është në rrjedhë e sipër. Ajo që kemi përcaktuar është se përmendorja e Andon Qoseto është vendosur në mënyrë të paligjshme në hapësirën para gjykatave. Analizat për objektet tjera janë në fazën përfundimtare dhe pres që javën e ardhshme të dalim para opinionit me informacione të hollësishme.

Projekti ‘Shkupit 2014’ është objekt i shqyrtimit të plotë. Nga vëzhgimet e deritashme, të gjitha përmendoret janë vendosur në mënyrë të paligjshme. Megjithatë, nuk do të doja të dal me informata sipërfaqësore dhe jo të plota sepse bëhet fjalë për dokumentacion të gjerë. Siç e përmenda, javën e ardhshme, opinioni do të informohet për hapat e ardhshëm që do të merren nga komuna në këtë drejtim”, ka thënë Bogdanoviq.