Berisha: Ivanov mbi kushtetutën, tregoi frymë antishqiptare


Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Republikës së Shqipërisë, një nga figurat qendrore shqiptare të pas viteve 90 Sali Berisha në një intervistë ekskluzive për TVM2 ka analizuar zhvillimet e fundit në Maqedoni e rajon.

Sali Berisha thotë në intervistë se presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov nxorri mbi frymën e Kushtetutës, notat nacionaliste antishqiptare, duke mos dekretuar ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Ligji nuk u firmos ndonëse e ka detyrim kushtetues, nga presidenti Ivanov. Ky shtetar tregoi se mbi frymën e kushtetutës qëndron urrejtja e tij ndaj shqiptarëve dhe ai përbën një problem serioz për stabilitetin e Maqedonisë. Uroj dhe shpresoj që Gjykata Kushtetuese të marrë të gjitha vendimet ndaj një presidenti që nxjerr albanofobinë mbi nenet e kushtetutës. Kur e kthen një herë, herën e dytë presidenti është i detyruar ta firmosë ligjin. Në Kushtetutën e Shqipërisë nuk i dërgohet fare për firmë, kalon vetvetiu dhe presidenti e humbet të drejtën të firmosë për së dyti një ligj. Është në kundërshtim flagrant por le të flasë Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë dhe jo unë për këtë gjest destabilizues për vendin”, shprehet ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.

Më tej, z.Berisha thotë se në Maqedoni ekziston një hendek mjaft i thellë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, duke mos i përfshirë ata në vendimmarrje. Por, qeveria nën drejtimin e Zoran Zaev, sipas tij, po pasqyron disa nga shqetësimet kryesore të shqiptarëve.

“Pozitën e shqiptarëve në Maqedoni unë e vlerësoj seriozisht problematike. Një hendek të madh mes maqedonasve dhe shqiptarëve dhe më pas një seri skenarësh fundekrye kundër shqiptarëve, të ndërmarrë nga forcat ultranacionaliste maqedonase me pushtet dhe pa pushtet. Kur shoh se buxheti kryesor përqendrohej në Maqedonine qendrore në shkupin e Aleksandrinë dhe investimet në Maqedoninë Perëndimore të banuar nga shqiptaret ishin krejt të parëndësishme. Besoj se në një farë mënyre qeveria e re e Zaevit po pasqyron disa nga këto shqetësime kryesore. Së pari u miratua ligji i gjuhës. Ky ligj është një arritje e vërtetë. Nuk është më i ploti, por krahasuar me atë që ishte, është një ndryshim qartësisht pozitiv dhe për t’u përshëndetur”, shprehet me tej z. Berisha.

Ish-kryeministri Shqiptar vlerëson hapat e ndërmarrje për zgjidhjen e cështjes së emrit, duke rikujtuar nga ana tjetër se ish-kryeministri Nikolla Gruevski nuk e ka dashur kurrë këtë zgjidhje.

“Vetë Gruesvki me të cilin kam pasur marrëdhënie të gjera, nuk donte të zgjidhte problemin. Unë e kam biseduar shumë herë me të,. Në një moment të caktuar i tha popullit të tij se jemi në prag të zgjidhjes për një emër të pranueshëm. Në mos gaboj ishte Maqedonia e Epërme ose e Re. Biles jo e re, se ai nuk e pranonte sepse thoshte se nuk jemi të rinj por të vjetër. I thashë unë, po ja Zelanda e Re, dhe thoshte jemi të vjetër, nuk pranohet kjo. Pas një jave deklaroi se unë do bëj referendum për këtë, por vetë do votoj kundër. E takova në Zagreb dhe i thashë, “a mund të më thuash pak Nikolla si është kjo punë”. “Po – më tha – unë këtë mendim kam dhe e shpreha”. Të themi të vërtetën, nuk ishte për zgjidhje. Është rrugë pa krye ajo e Alkeksandrisë. Ajo çonte në gjenerimin e nacionalizmave të tjerë dhe në mënyrë të pashmnagshme në konfliktualitetin dhe përballjen midis tyre”, thekson Berisha.

Por, në këto rrethana, a do të arrijnë vendet e ballkanit perëndimor t’i bashkohen Familjes Europiane? Berisha shpreson se po.

“Endrra e Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në familjen europiane unë besoj se do të bëhet realitet. Vështirësitë kryesore i krijojnë qeveritë në këto vende dhe mungesa e maturitetit të tyre gatishmërisë së tyre për të zbatuar standardet demokratike”, shprehet me tej Berisha. / MRTV