Bejli: Reformat dhe emri, kyç për në NATO


Që Maqedonia të bëhet pjesë e proceseve euro-atlantike, ambasadori i SHBA-ve Xhes Bejli, porositi që vendi të ruaj partneritetin me NATO-n e BE-në dhe të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë. Këto komente, ambasadori Bejli i bëri në debatin për bashkëpunim në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e sigurisë në vend, të organizuar në Fakultetin e Sigurisë.
“Atë që mund të them unë është që SHBA-ja dhe NATO po mundohen që sa më shpejt ta anëtarësojnë Maqedoninë në këtë të fundit. Mendoj se rruga për në NATO i ka dy çelësa, njëra është duke e mbajtur shtetin në drejtimin e organizatës Euro-atlantike dhe e dyta është rrënja dakord me Greqinë për çështjen e emrit. Shohim përmirësim në këtë drejtim” – deklaroi Xhes Bejlli, ambasador i Amerikës.

Ambasadori Amerikan në Shkup Xhes Bejlli, thotë se Qeveria aktuale po bën hapa pozitiv drejt integrimit të vendit në NATO dhe BE, duke marr shembull reformat e planifikuara në gjyqësorë, në shërbimet inteligjente dhe në mënyrën e përgjimeve telefonike.
“Maqedonia ka filluar rrugëtimin pozitiv, unë shoh reforma esenciale për ta kthyer sundimin e së drejtës, gjykata të pavarura, reforma në shërbimet inteligjente dhe zgjidhjen e problemit të përgjimeve. Me rikthimin e sundimit të së drejtës me anë të reformave, Maqedonisë po i lehtësohet rruga drejt euro-integrimeve”- theksoi Xhes Bejlli, ambasador i Amerikës.

Rektori i Fakultetit të Sigurisë Nikolla Dujovski përshëndeti përkrahjen e SHBA-ve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Për të dëshmuar bashkëpunimin, panelistët përmendën aksionin e fundit të përbashkët me DEA-n në Tetovë, ku u gjet laboratori më i madh i drogës sintetike në Evropë, operacion ky që u vlerësua si u suksesshëm duke u bazuar në sasinë e konsiderueshme të lëndëve narkotike që u sekuestruan.