BE-ja kthen sytë kah Ballkani Perëndimor, por rruga drejt anëtarësimit do të jetë e vështirë!


Kur udhëheqësit e BE-së të fotografohen së bashku me homologët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që shpresojnë të bashkohen me bllokun, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy nuk do të jetë prezent – në shenjë proteste – duke theksuar se sa e vështirë do të jetë rruga e tyre për anëtarësim.

Kështu fillon një analizë e bërë në mediumin britanik “Reuters”.

Gjithsesi, sipas këtij mediumi, samiti i së enjtes, takimi i parë i tillë në 15 vjet, ka për qëllim të tregojë angazhimin e përtërirë të Bashkimit Evropian në një rajon që mbetet i brishtë, dy dekada pas luftërave etnike që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë.

“Spanja nuk njeh as pavarësinë e Kosovës, e cila do të marrë pjesë në takimin e Sofjes së bashku me Shqipërinë, Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë dhe qeveritë e BE-së shqetësohen gjithashtu për një varg problemesh të tjera që prekin rajonin”.

“Por pas viteve të neglizhimit të gjashtë vendeve, BE-ja është nxitur në veprim nga rritja e ndikimit të fuqive të tjera në rajon, të cilat në vitet 2015-16 u bënë gjithashtu një rrugë kryesore për një valë emigrantësh nga Lindja e Mesme dhe Afrika”, shkruan ky medium.

Më tej, “Reuters” shkruan se kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk e tha gjithashtu këtë para samitit: “Do të jetë një mundësi për të dyja palët që të riafirmojnë se perspektiva evropiane mbetet zgjedhja gjeostrategjike e Ballkanit Perëndimor”. “Unë shpresoj që t’i sjellim miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor më afër BE-së”.

Ndërsa Britania është në rrugëdalje, thuhet tutje, ekzekutivi i Komisionit Evropian i bllokut ka propozuar që krerët e BE-së të vendosin në qershor për të hapur negociata formale të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

“Rreziqet për Evropën janë zero”, tha kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, i cili vetë u bashkua me BE në 2007 me Rumaninë fqinje.

“Nëse ne nuk i afrojmë… Ballkanin Perëndimor dhe nuk i ndihmojmë ata – po, shumë prej tyre nuk janë të gatshëm dhe ata ende duhet të punojnë – atëherë nuk ka asnjë arsye të zemërohemi se ndikimi i Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Arabisë Saudite do të jetë më i madh se i Evropës”, shtoi Borisov.

Por, siç vlerësohet në analizën e “Reuters”, shumë në BE ndjehen ndryshe.

Ndërsa blloku ende po shërohet nga kriza ekonomike dhe emigracionit që kanë nxitur euro-skepticizmin midis votuesve të vet, dyshuesit tregojnë për problemet, që nga krimi i organizuar në Shqipëri, deri tek mosmarrëveshjet e Maqedonisë me Greqinë, që bllokon aspiratat e Shkupit.

“Dy ish republika jugosllave, Sllovenia dhe Kroacia, tashmë janë bashkuar me BE. Por paligjshmëria dhe krimi u lulëzuan në Ballkan gjatë luftërave të viteve 1990, duke e lënë rajonin të mbingarkuar me armë dhe një rrugë tranziti për trafikantët e drogës dhe të njerëzve”, vihet në pah në analizën në fjalë.

Gjithsesi, “drejtimi është shumë i qartë – perspektiva evropiane”, tha një zyrtar i lartë i BE-së. “Ajo që me të vërtetë ka rëndësi është përcaktimi i aplikantëve në zbatimin e reformave…”.

Sipas analizës së “Reuters”, BE dhe gjashtë vendet e Ballkanit do të nënshkruajnë një deklaratë mbi përmirësimin e infrastrukturës, duke përfshirë lidhjet e energjisë elektrike dhe gazit, si dhe kundërshtimin e radikalizmit, përmirësimin e sigurisë dhe kontrollin e migracionit.

Analiza ndër tjerash vlerëson se Brukseli gjithashtu sheh ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore si jetësore për një rajon ku armiqësitë e kohës së luftës ende rëndojnë marrëdhëniet dhe kërcënojnë paqen e brishtë.

“Për t’u bashkuar me BE-në, Serbia – tregu më i madh midis gjashtë vendeve – duhet të vendosë kufijtë e saj me Kosovën dhe me Bosnjën, ku tensionet mes komuniteteve rivale shpesh e paralizojnë vendimmarrjen”, thuhet tutje në analizë.

Në këtë drejtim rikujtohet paralajmërimi i kryeministrit maqedonas Zoran Zaev i cili kishte thënë se është e nevojshme një perspektivë e qartë për të parandaluar “rrëshqitjen” e rajonit drejt një konflikti.

“Ne pamë se status quo-ja sjell një erozion të demokracisë, një mungesë të mundësive ekonomike”, ka thënë ai në një takim në Sofje. “Ndikimi negativ nga palët e treta është në rritje”.