BDI i lë të hapura të gjitha opsionet për kandidatin presidencial


Bashkimi Demokratik për Integrim i shqyrton të gjitha opsionet për kandidatin presidencial. Bisedimet po zhvillohen në drejtime të ndryshme, por ende nuk ka diçka konkrete, që të them cilën rrugë do ta zgjedhim – opsionin për kandidat nga partia apo opsionin për kandidat i cili do të jetë i përbashkët. Kjo do të jetë çështje që do të vendoset apo diskutohet në ditën në vijim, por të gjitha opsionet janë të hapura.

Këtë sot e deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani pas konferencës së përbashkët për shtyp  të ministres irlandeze për Çështje Evropiane, Helen Mekenti, dhe të sekretarit shtetëror pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, Samuli Virtanen.

“BDI ka vendosur të fillojë me procesin e identifikimit të kandidatit potencial, por nëse ndërkohë krijohen parakushte për bashkëpunim, atëherë kjo bisedë do të ndryshohet nga kandidat partiak në atë të përbashkët”, theksoi Osmani.

Lidhur me deklaratën e djeshme të liderit të Demokracisë së Re opozitare, Kirjakos Micotakis se do ta shfrytëzojë të drejtën e vetos në hapjen e kapitujve negociues të Maqedonisë me BE-në, Osmani tha se në Marrëveshjen e Prespës është përfshirë edhe Marrëveshje për partneritet strategjik, dhe me këtë marrëveshje Maqedonia vendos partneritet strategjik me Greqinë, që do të thotë mbështetje të ndërsjellë në të gjitha fushat.

Theksoi se këto janë obligime që i tejkalojnë interesat e partive politike dhe agjendave ditore-politike dhe veçanërisht nëse ato janë nën ndikim të një atmosferë parazgjedhore.

“Dinamika e implementimit të Marrëveshjes pjesërisht është e lidhur edhe me negociatat. Gjegjësisht përdorimi i brendshëm i emrit të ri është i lidhur me hapjen e kapitujve të caktuar. Ashtu që do të jetë në interes të Greqisë që sa më shpejt të hapen kapituj, sepse atëherë fillojnë afatet për përdorim të brendshëm të. emrit të ri në sektorët  që i mbulon ai kapitull. Ky është një argument plus shtesë se asnjë Qeveri greke nuk do të tentojë ta bllokojë, por në të kundërtën, ta përshpejtojë procesin e hapjes së kapitujve, sepse kjo është e ndërlidhur me implementimin e Marrëveshjes”, tha Osmani.