Basha: Kryengritja qytetare e nisur në Kukës nuk ndalet


Kryetari i Partia Demokratike Lulzim Basha dha një deklaratë në krah të qytetarëve kuksiane dhe familjarëve të atyre që sot ndodhen në burg, si pjesëmarrës në protestën e 31 marsit në Kalimash.

“Këta janë njerëzit që jetojnë pa ndihmë ekonomike, që jetojnë në varfëri, janë njerëzit të cilëve Edi Rama i vendosi taksën për të kaluar në rrugën e Kombit,  që Edi Rama i do në burg dhe për të cilët ka ngritur me prokurorinë politike Rama-Marku një proces për të terrorizuar qytetarët. Jam krenar që jam në krah dhe që unë dhe disa deputetë të opozitës po hetohemi nga kjo prokurori politike”, deklaroi kreu i PD-së.

Basha e cilësoi kryeministrin Edi Rama një frikacak të mbyllur në bunkerin e tij që nuk arrin të kuptojë arsyet sepse këta njerëz të thjeshtë u revoltuan kundër grabitjes qeveritare.

Më tej ai i ka ftuar qytetarët shqiptarë të bashkohen në kryengritjen qytetare.

“I bëj thirrje shqiptarëve të vazhdojmë së bashku kryengritjen qytetare, aktin e ndërmarrë nga qytetarët e Kukësit për të refuzuar grabitjen, për ti dhënë fund një shteti të privatizuar nga Edi Rama, që për hir të xhepave të tij dhe oligarkëve pranë tij, vërsuli policinë dhe terrorizoi njerëzit e thjeshtë”, tha Basha./Albanian Free Press