Avokati i popullit: Qytetarët më së paku i besojnë gjyqësisë

Qytetarët në vitin 2018 mosbesim më të madh shfaqën ndaj pushtetit gjyqësor, që tregon edhe numrin dyfish të rritur të parashtresave lidhur me jurisprudencën, parashtruar tek Avokati i popullit, tha zëvendësja e Avokatit të popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa, duke e prezantuar Raportin vjetor për punën e këtij institucioni.

“Vitin e kaluar vepruam rreth 4.482 parashtresave, prej të cilave 3.458 u pranuan në raportin vjetor, me ç’rast 50 u hapën me nismë vetanake për sfera të ndryshme”, tha Bajramovska-Mustafa, duke cekur se numri më i madh i parashtresave ishin nga sfera e jurisprudencës, marrëdhënieve të punës, institucionet ndëshkuese përmirësuese, të drejtat konsumatore, mbrojtjes së të drejtave gjatë autorizimit policor, punës financiare, mbrojtjes së të drejtave të fëmijës, si dhe mbrojtjes sociale dhe shëndetësore.

Kohëzgjatja e procedurave, siç theksoi ajo, është problem themelor për të cilin kërkohet mbrojtje, ndërkaq është i madh edhe numri i parashtresave në të cilat qytetarët shprehin pakënaqësi nga vendimet gjyqësore për të cilat konsiderojnë se janë sjellur njëanshëm, në mënyrë selektive, nën presion dhe motivim politik.

Në raport është cekur se për rreth 60 për qind është rritur numri i parashtresave të parashtruara lidhur me të drejtat e marrëdhënieve të punës. Me atë rast qytetarët më shpesh kërkojnë mbrojtje për shkak të shkeljes së të drejtave në procedurat për punësim, për sistemimin e të punësuarve, për ndërprerje të marrëdhënies së punës, si dhe procedura rreth ankesave.

Theksoi se rritje të vogël ka tek parashtresat për diskriminim në bazë të përkatësisë politike, në baza etnike, si dhe mbrojtje nga mobingu në vendin e punës.

Sipas zëvendëses së Avokatit të popullit dukshëm nuk janë përmirësuar as gjendjet në sferën e enteve ndëshkuese-përmirësuese lidhur me kushtet e vendosjes, ushqimit, kushteve higjienike, si dje trajtimi joadekuat stomatologjik i personave në burgje.

Theksoi se gjendjet janë alarmante edhe lidhur me të drejtat e fëmijëve, posaçërisht në pjesën e dhunës në shkolla.

Krahasuar me vitin 2017, siç theksoi Bajramovska-Mustafa në raport këtë vit vërehet ulje e shkeljeve të konstatuara për 7,60 për qind, ndërsa nga ana tjetër analiza e të dhënave lidhur me rekomandimet e pranuara të Avokatit të popullit tregojnë ulje për 13,42 për qind në krahasim me vitin 2017.

Raportin vjetor për shkallën e sigurimit, respektimit, avancimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut për vitin 2018 Avokati i popullit e parashtroi sot në Kuvend.