Avokati i Boban Iliqit kërkon lirimin e tij të plotë


Mbrojtja e Boban Iliqit, të akuzuarit për vrasjen e Almirit, kërkoi tërheqjen e plotësishme të akuzës për klientin e tij. Avokati Stevan Pavllevski tha se Bobani nuk ka pasur zgjidhje alternative për t’iu shmangur pasojave tragjike, pasi i njëjti në atë moment ka qenë nën afekt të frikës. Pavllevski në fjalët e tij përfundimtare përsëriti disa herë se Iliq nuk duhet të akuzohet për veprën penale e cila i ngarkohet, pasi sipas tij, kanë qenë familjarët e Almirit ata të cilët e kanë filluar konfliktin dhe se po ata kanë dashur ta sulmojnë fizikisht. Ndërkaq, avokati kërkon që Sedat Aliu, babai i Almirit dhe dy familjarët e tjerë Sami Demiri dhe Abdulla Aliu, të dënohen për atë që e kanë nxitur konfiktin e asaj nate dhe që kanë përdorur dhunë ndaj vëllezërve Iliq dhe bashkëudhëtares së tyre, Tanja Dimkovska. Avokati këmbngul që Iliq asesi nuk ka pasur paramendim në momentin e kryerjes së veprës

STEVAN PAVLLEVSKI, AVOKAT I BOBAN ILIQIT

“Kërkova vendim për lirim, për shkak se faktet janë të qarta, të pakundërshtueshme dhe nga ato fakte del e drejta për mbrojtjen e nevojshme të Boban Iliqit…Kjo është e drejta e Boban Iliqit që të mbrohet, çdoherë kur ai sulmohet nga dikush. Shteti obligohet që t’i mbroj njerëzit, por kjo është edhe e drejtë e natyrës së njeriut”.

Mbrojtja e familjes Aliu kërkoi lirim nga akuza për Sedat Aliun, Abdulla Aliun dhe Sami Demirin, pasi siç u shpreh avokati Asmir Alispahiq vepra “Dhunë” që atyre u ngarkohet nuk është vërtetuar as nga Prokuroria dhe se shumë qartë në video-materiale shihet se ata nuk kanë ushtruar dhunë. Vendimi për ta do të bëhet i ditur të ejten.

ASMIR ALISPAHIQ, AVOKAT I FAMILJES ALIU

“I akuzuari Boban Iliq deklaroi se nuk ndjehet fajtor as për këtë vepër penale, që atij i ngarkohet, është e drejtë e tij dhe i është e lejuar me ligjin për procedurë penale dhe kjo vetëm e tregon mënyrën e tij se si ka vepruar gjatë gjithë procedurës gjyqësore…Të shohim gjykata se çfar vendimi do të sjellë, nëse ajo do të jetë edhe një rrethanë tjetër rënduese që do të ngarkohet atij, por të lejojmë që më datë 5 se çfar dënimi do të sjellë Gjykata Themelore e Kumanovës”.

Shkaku i rikualifikimit të lëndërs, i akuzuari Boban Iliq edhe njëherë u pyet se a ndihet fajtor. Kujtojmë deri tani, Iliq tre herë e ka ndërruar deklaratën e tij.

Boban Iliq, i akuzuar

“Unë nuk ndihem fajtor. Më vjen shumë keq që ka ndodhur ky rast, më vjen shumë keq për fëmijën”.

Tre akuzuarit e tjerë për dhunë u shprehën as ata nuk ndihen fajtor, por të dëmtuar.

Ministria e Drejtësisë ka vendosur që ekspertëve Branisllav Stefanovski, Zoja Babinkostova dhe Stoinko Zllatkovski t’u merret licenca, pasi nuk e kanë pasur atë gjatë kohës kur e kanë kryer ekspertizën. /SHENJA/