ASH i drejtohet BDI-së: Pranoni zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale


Aleanca për Shqiptarët përshëndet vendimin unanim të BDI-së që të garojë vetë me kandidatin e tyre në zgjedhjet Presidenciale. Nga kjo parti kërkojnë që mes tjerash BDI të pranojë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale.

„Urojmë që kandidati për president nga BDI të jetë shqiptar! Nuk duam të besojmë se ky vendim i tyre erdhi si pasojë e derës së mbyllur dhe përbuzjes qe iu bë BDI-së në lidhje me idenë e tyre të rrejshme për kandidat konsensual, me LSDM sot, me VMRO-DPMNE dje. Shpresojmë se vendimi i BDI-së ka të bëjë me sfidën që Kryetari i ASH-së z. Ziadin Sela ua bëri publikisht nëpërmjet mediave për tu përballur me Ju. Meqë e pranuat këtë sfidë urojmë që të pranoni edhe tjetrën, zgjedhjet e parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale“, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.