Arrestohet Milaim Zeka


Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhrin për arrestimin e deputetit të  Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, për shkak të deklaratave të tij në emisionin “DPT te Fidani” për prokurorin special, Afrim Shefkiu.

Arrestimin e Zekës për T7 e ka konfirmuar prokurori i Prokurorisë Themelore, Ibrahim Berisha.

Deputeti i Nismës të hënën në Televizionin 7 ka thënë se do t’i qërojë hesapet me prokurorin.

“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tëm me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, ka thënë Zeka në emisionin DPT te Fidani në T7.

Prokurori Special, Afrim Shefkiu ka propozuar 907 dëshmitarë kundër Zekës. 900 prej tyre janë viktima të mashtrimit me viza pune në Gjermani, të cilëve u janë marrë hiç më pak se 345 mijë e 700 euro.