Angushev: Buxheti i propozuar për vitin 2018 është deri më tani me karakter më reformator dhe më ekonomik


Nga të gjitha buxhetet deri më tani, i propozuari për vitin 2018 ka karakter më reformator dhe më ekonomik. Është determinuar nga nevojat e qytetarëve sepse mbi 60 për qind e tyre janë deklaruar se prioritet i parë që pritet nga Qeveria është përmirësimi i klimës ekonomike, deklaroi pasdite në konferencën për shtyp në Qeveri, zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Ekonomike Koço Angjushev, duke i prezantuar zërat ekonomikë në Propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm.

Ai është 211.7 miliardë denarë ose 3,4 miliardë euro dhe duhet të sigurojë të paktën 3,2 për qind rritje të BPV-së. Deficiti është projektuar prej 2,7 për qind me tendencë të uljes.

Angjushev theksoi se me buxhetin duhet të sigurohet stabilitet në vend, të nxitet zhvillimi dhe të bëhet sistemim i drejtë i parave të popullit dhe prandaj, tha, esenca është se do të tentojmë t’i shkurtojmë të gjitha shpenzimet joproduktive të cilat nuk sjellin kurrfarë beneficioni për popullin.

Për investime kapitale me të cilat duhet të përmirësohet jeta e qytetarëve janë planifikuar 24 miliardë denarë ose më shumë se 400 milionë euro: 3,5 miliardë euro për infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore, 5,9 miliardë denarë për infrastrukturë komunale dhe energjetike, 405 milionë denarë për investime në ZZHTI, 2,4 miliardë denarë për arsim dhe sport, 1.9 miliardë denarë për shëndetësi, 1 miliardë denarë për mbrojtje, 531 milionë denarë në gjyqësi dhe 917 milionë denarë për rendin dhe sigurinë publike.

Drejtpërdrejt në ekonomi, tha zëvendëskryeministri, janë determinuar 4,1 miliardë denarë, të cilat janë për programe lidhur me Planin për rritje ekonomike dhe në mënyrë shtesë për nxitjen e punësimit. Rritja në Programin për zhvillim ekonomik në tërësi – për masa ekonomike dhe përmirësim të ekonomisë në shtet është 46 për qind në lidhje me ribalansin e Buxhetit për vitin 2017.

“Mendoj se ky është numri që duhet ta mbajmë mend. Vlerësojmë se kjo është rritje rekorde për këto programe, të cilën deri më tani asnjë buxhet nuk e ka përmbajtur. Me këtë rast janë bërë shkurtime të shpenzimeve joproduktive prej 91 për qind, me qëllim që të mundësohen sa më shumë para që është e mundur për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, theksoi Angjushev.

E potencoi edhe nxitjen e punësimit për të cilin janë paraparë një miliardë denarë gjegjësisht rritje prej 5 për qind nga, siç tha, kurdoherë deri më tani që janë shpenzuar mjete.

“Do të stimulohen vetëm firmat të cilat do të japin paga më të larta për qytetarët me qëllim që të rriten të ardhurat personale dhe nuk do të stimulohet asnjë kompani e asnjë subjekt në Republikën e Maqedonisë i cili nuk do të japë pagë dinjitoze për qytetarët. Një paga nën 18.000 denarë nuk do të stimulohet dhe gjithçka që është mbi atë pagë do të stimulohet me 20 për qind nga Buxheti i RM-së për punësimet e reja të cilat presin më shumë se tre muaj në Agjencinë për Punësime ose për të gjithë ata të cilët dalin drejtpërdrejt nga procesi mësimor”, theksoi Angjushev, duke theksuar se më shumë nuk do të ketë shpenzime jo transparente dhe shpenzime diskrete të mjeteve.

“Kjo është sepse e gjithë ndihma e cila deri më tani është ndarë për krijimin e vendeve të punës ka arritur edhe deri në 11.000 euro për vend të krijuar të punës dhe me këtë rast të punësuarve u janë dhënë paga prej 8.000 deri në 10.000 denarë”, tha zëvendëskryeministri.

Ai i renditi rritjet kryesore në zërat e buxhetit: 592 për qind më shumë në raport me ribalancin ka  për përkrahjen e investimeve të brendshme të grinfild investimeve. Një rritje prej 119 për qind do të ketë për përmirësimin e infrastrukturës në ZZHTI; 23 për qind rritje në tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimit në zonën e lirë ekonomike. Ai theksoi se investimet vendase dhe të huaja do të kenë trajtim të barabartë dhe se përparësia e qeverisë është të paguajë kontributet sociale.

“Kjo Qeveri pagimin e kontributeve sociale e vendos si imperativ dhe nuk e lejon asnjë kompani në të ardhmen të mos paguajë kontribute sociale. Me këtë nuk mundet që të bëjmë kompromis”, theksoi Angjushev.

Rritje të rëndësishme ka edhe në mbështetjen e klimës së biznesit dhe lehtësimin e mjedisit të biznesit (140 për qind), në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat në Maqedoni janë mbi 90 për qind, do të ketë një rritje prej 102 për qind, respektivisht buxheti për ato është 38 milionë denarë. Për të mbështetur turizmin vendas për punëtorët me të ardhura të ulëta, 91 milionë denarë dhe 326 milionë denarë ose 44 për qind rritje janë planifikuar për zhvillimin e rajoneve planifikuese, të fshatrave dhe zonave specifike.

“Me këtë buxhet, Qeveria e Republikës së Maqedonisë dëshiron të tregojë se është e orientuar drejt zhvillimit të investimeve kapitale, zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të jetës së çdo qytetari në vend, se është e vendosur të vlerësojë në mënyrë të barabartë investuesit vendas dhe të huaj. Ne po luftojmë për paga më të larta për të gjithë punëtorët dhe për një standard më të lartë jetese”, tha zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike.