Ali Ahmeti: Ky 16 vjetor na gjen fitimtarë dhe krenarë


Bashkimi Demokratik për Integrim sot shënon 16 vjetorin e themelimit.

Kryetari i kësaj partie përmes një letre të hapur ka thënë se ky 16 vjetor Bashkimin Demokratik për Integrim e gjen me bilanc për këdo të lakmueshëm, me 12 fitore të njëpasnjëshme në të gjitha betejat zgjedhore në vend, katër kongrese nga të cilat 3 zgjedhore dhe një tematik; me mijëra të punësuar në administratë dhe sektorin privat, me zona të lira ekonomike në Strugë, Kërçovë, Tetovë, Shkup; me gazifikim të nisur për Shkupin, Tetovën dhe Gostivarin; me shumë rrugë të ndërtuara dhe në ndërtim e sipër, me autostradën Kërçovë – Strugë; me mbledhje të përbashkëta qeveritare me Kosovën dhe Shqipërinë; me lidhje energjetike me Shqipërinë si dhe me kalim të kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë pa pasaporta; me vijë të përcaktuar kufitare me Kosovën dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës.

Ahmeti më tej ka shtuar se BDI për këto 16 vite ka krijuar disa institucione dhe objekte arsimore e kulturore, siç është Teatri Shqiptar në Shkup, Biblioteka dhe Teatri në Tetovë, Muzeu i Manastirit dhe Muzeu i Lirisë, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqipe, Qendra Memoriale Nëna Shqiptare në Zajaz, por edhe projekte konkrete për ujësjellës në vendbanimet shqiptare, Qendra Urgjente në Tetovë dhe Qendra spitalore të tjera, subvencione bujqësore, bursa arsimore dhe projekte të tjera të panumërta.

Ky është telegram-urimi i plotë i Ahmetit:

Ky 16 vjetor, gjithashtu, shënon përmbylljen e veprimit tematik të Bashkimit Demokratik për Integrim që filloi me ndryshimet kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, ndarjen territoriale, simbolet kombëtare, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucionet e shtetit, marrjen e posteve kyçe në shtet si Kryeparlamentar, Avokat i Shtetit, Avokat i Popullit, Ministër i Mbrojtjes, Ministër i Punëve të Brendshme, etj, rrumbullakimin e infrastrukturës së plotë në arsimin sipëror me legalizimin e Universitetit të Tetovës, hapjen e fakulteteve të reja, konvikteve, por edhe me themelimin e universitetit të dytë shtetëror shqiptar në Shkup, bashkë me shumë shkolla, çerdhe, salla sportive, sheshin Skënderbeu, Iliria, të flamurit, shtatoren e Skënderbeut, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Josif Bagerit, Nexhat Agollit, Pjetër Bogdanit, por edhe me shënimin institucional të 100 vjetorit të alfabetit, 100 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë si dhe 100 vjetorit të Flamurit, pa anashkaluar edhe kontributin për çuarjen përpara të reformave dhe për vendosjen e shtetit të së drejtës, që u valorizua me marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE, liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian, hapjen e dialogut të lartë paraqasës me BE dhe rekomandimet për çelje të negociatave, mbylljen e kontestit me Bullgarinë e gjer tek zyrtarizmi i plotë i përdorimit të gjuhës shqipe, ndërkohë që jemi në prag të zgjidhjes së çështjes së emrit që mundëson marrjen e datës për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian për t’u bërë anëtar me të drejta të plota si dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.

Ky 16 vjetor na gjen fitimtarë dhe krenarë edhe pas një fushate të koordinuar shumëvjeçare dhe intensive për të denigruar Bashkimin Demokratik për Integrim duke e luftuar atë në të gjitha mënyrat e mundshme, por pa ofruar alternativë, pa oferta konkurrente, programore, pa politika konkrete, pa punë dhe pa vizion.

Ne s’jemi marrë me të tjerët, ne kemi shikuar punën tone: Për 16 vite rresht, kemi krijuar bashkë vepra dhe çështje, pa u marrë kurrë me shpifje e kundërshtime. Nuk kemi reshtur kurrë që të zgjidhim problemet e të përballojmë sfidat.

Në vazhdimësi, gjatë këtyre 16 viteve kemi kultivuar reputacionin e përfaqësuesit të denjë të qytetarit duke ruajtur njëkohësisht unitetin e fuqishëm brenda partiak dhe solidaritetin kolegjial, pa harruar vlerat dhe amanetin me të cilin e kemi nisur këtë rrugëtim – amanetin dhe zotimin për liri dhe barazi të plotë. Në këto 16 vite, me dinjitet të plotë kemi përfaqësuar shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë si në nivel kombëtar, ashtu edhe rajonal e ndërkombëtar dhe për këtë jemi vlerësuar nga të gjithë.

Përvjetori i 16 na gjen ngadhënjimtarë edhe me konceptin tonë të konsensualitetit si shtyllë e veprimtarisë sonë vijuese për ndërtimin e vlerave të përbashkëta me interes të përgjithshëm. Konsensualiteti do të jetë kryefjala e ndërtimit të politikave tona në vitet para nesh sepse garanton gjithëpërfshirje, qëndrueshmëri dhe pranim të gjerë të politikave.

Me keqardhje rikujtoj se edhe ky përvjetor e gjen skenën politike shqiptare të fragmentarizuar me tendencë të thellimit të përçarjes së votës shqiptare në parti të panumërta. Jam i bindur se kësaj agjende të tjetërsimit dhe dobësimit të potencialit tonë politik në vend duhet t’i jepet fund – ne çmojmë fuqimisht se shqiptarëve në Maqedoni nuk ju duhen më tepër se dy parti politike për të arritur optimalen e përfaqësimit kombëtar dhe realizimit të kërkesave. Parcializimi i votës shqiptare në shumë parti, përfaqësimi me nahi e jo tërësi, na bën të parëndësishëm dhe joserioz para komunitet vendor dhe atij ndërkombëtar.

Sot, jemi në momentet vendimtare të rrumbullakimit të projektit tonë të madh rilindas, atij të bashkimit me Familjen e madhe Euro-Atlantike. Prandaj, po punojmë për zgjidhje të shpejt dhe të qëndrueshme që do hap portat e NATO-së dhe BE-së për Maqedoninë, sepse kështu do të japim më së miri ndihmesën tonë për forcimin e paqës, stabilitetit dhe sigurisë, por edhe për një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe për mirëqenie shoqërore e kombëtare.

Këtë përvjetor e shënojmë në vigjilje të shumë projekteve e punëve që na presin. Ne do t’ia dalim, për shkak se ne në Bashkimin Demokratik nuk na mungon as dija, as përkushtimi e as energjia e guximi!

Të nderuar bashkëveprimtarë e bashkëmendimtarë,

Duke shënuar përvjetorin tonë të 16, të zotohemi bashkë për të ardhmen e përbashkët, për solidaritetin midis nesh, për mbajtjen gjallë të frymës së bashkëpunimit me njëri-tjetrin, për bërjen realitet të shpresave të qytetarëve, për avancimin e fuqishëm të vlerave tona të përbashkëta, pse jo edhe për forcimin e mëtejshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim si një begati jona kombëtare.

Siç e nisëm 16 vite më parë, Bashkë dhe të sinqertë me njëri-tjetrin, drejtë qëllimit të përbashkët, Bashkë do të vazhdojmë edhe gjatë dekadave që vijnë!

Gëzuar dhe na priftë e mbara!
Ali Ahmeti
Kryetar