Akuza të ndërsjella midis deputetëve në debatin për interpelancën e ministrit Spasovski


Pjesa e pasdites së seancës së 86-të kuvendore, në të cilën pika e vetme e mbetur është interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, deputetët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së e shfrytëzuan për akuza të ndërsjella.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski tha se MPB shfrytëzohet si instrument për keqpërdorim dhe seleksionim, me ç’rast njerëzit e afërt me pushtetin mbrohen, ndërsa përndiqen oponentët politik.

Milloshoski tha se vrasësi dhe porositësi i vrasjes së Martin Janushev janë në Beograd, ndërsa vrasësi i Martin Neshkoskit është në burg. Shtoi se drejtësia për Janushevin nuk do të vijë në vend derisa vrasësi dhe porositësi ndodhen në Beograd.

Milloshoski kërkoi prej ministrit ta zgjidh dilemën nëse në të vërtetë Stevo Pendarovski është i ndjekur prej shërbimeve sekrete ose kjo, siç tha, ka qenë vetëm që vëmendja të përqendrohet tek kandidati i tyre për president.

“Edhe pse akoma nuk janë kandidatë, ata janë të sigurt. Atëherë kur të shtrohen kandidaturat secili prej tyre do të marrë sigurim zyrtar nëse e dëshiron një gjë të tillë. Fillimisht t’i mësojmë zyrtarisht kandidatët presidencial, ndërsa më pas nëse është e nevojshme do t’u sigurojmë sigurim përkatës”, tha Spasovski.

Ai shtoi se ka denoncime në MPB lidhur me Pendarovskin.

“Një fotografi e Pendarovskit është incizuar në parkingun përballë hotelit “Holidej in”, ndërsa tjetra në kafe barin “Plej” në rr. “Maqedonia”, ndërsa u publikuan në rrjetet sociale”, tha Spasovski.

Ai e hodhi poshtë praninë e çfarëdo shërbimi të huaj, pasi, siç tha, nuk ekziston një gjë e tillë.

Deputeti Goran Misovski i PRSD-së duke iu drejtuar Milloshoskit tha se në kohën e VMRO-DPMNE-së është keqpërdorur MPB,  duke e potencuar kështu arrestimin e, siç tha, oponentëve partiakë si Lube Boshkoski, rrëzimin e objektit të Fiat Canovskit, më pas rastin “Detonatori”, “27 prilli”…

Duke i replikuar Miskovskit, Milloshoski tha se në vitin 2006 që të zgjidhet Gordana Jankulloska ministre e Punëve të Brendshme edhe ai kishte ndihmuar shumë prandaj i është falënderues.