Ahmeti: Shqiptarët do t’i përgjigjen masivisht referendumit për anëtarësimin në BE dhe NATO


Shqiptarët do t’i përgjigjen në mënyrë masive referendumit që vendi të anëtarësohet në BE dhe NATO, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Shqiptarët e kanë mirëpritur këtë moment të rëndësishëm për shtetin e tyre. Nuk ka dyshim se shqiptarët do t’i përgjigjen në mënyrë masive referendumit që vendi të anëtarësohet në BE dhe NATO. Mendoj që partitë do të punojnë, motivojnë, do të organizohet që shqiptarët të jenë pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar mes të tjerash Ali Ahmeti.

Pyetjes se nëse do të dorëhiqej pas anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, ashtu siç ka deklaruar paraprakisht, lideri BDI-së thotë se qëndron pas asaj që ka deklaruar, por se megjithatë për këtë çështje do të diskutohet edhe në organet e partisë, Këshillin partiak dhe në Kongres.

“Në BDI ka shumë kuadro të përgatitura për të më zëvendësuar dhe udhëhequr partinë”, u përgjigj Ahmeti pa konkretizuar emra.

Në një emision televiziv, Ahmeti foli edhe për raportet që ka me kryministrin Zoran Zaev duke i cilësuar ato “komunikime të rregullta dhe të mira”.

“Kemi komunikim të rregullt, bashkëpunim të mirë, ndajmë mendime të përbashkëta për gjitha situatat në vend, pra janë në kuadër të normalitetit dhe është një komunikim i mirë”, ka thënë Ahmeti.