7 Marsi, Mustafa: Arsimi shqip, në gjendje të mjerueshme


I injoruar dhe i nënçmuar, kështu profesori Avzi Mustafa i cili tërë jetën ia ka kushtuar arsimit shqip, përshkruan rolin e sotëm të mësuesit shqiptar. Sipas Mustafës misioni i mësuesit sa vjen e zbehet, duke humbur qëllimin e tij të shenjtë, shkollimin e gjeneratave të reja. Ai thotë se mos angazhimi i mësuesve në përpilimin e teksteve e lekturave shkollore, shndërron mësuesin në një administrator të thjeshtë, duke mos u shfrytëzuar përvoja e tyre në asnjërën nga reformat që institucionet Arsimore po iniciojnë. As aspekti ekonomik sipas Mustafës, nuk lë vend për motivimin e mësuesit të sotëm.

“Na ishte njëherë një person që quhej mësues, por sot ku është ai? Ai sot gjendet i margjinalizuar, i larguar nga ajo që ka qëllim kryesor për arsye se nuk e pyet kush atë. Ai sot është i kontrolluar nga ministria e Arsimit, nga Inspektorati, nga partitë politike, nga çdo kush, por sot atë nuk e mbron askush. As sindikata, nuk ka asnjë rregullore, të mos flasim për një ligj. Ai sot është i injoruar nga pushteti, nga prindërit por edhe nga nxënësit. Bëjnë reforma pa mos e pyetur aspak mësuesin, bëjnë tekste pa e konsultuar mësuesin dhe kërkojnë rezultate nga mësuesi, ku mund t’i gjejë ai mësues ato? Kërkesa ime kryesore që njëherë të depolitizohet arsimi në përgjithësi, të mos ketë inkuadrime partiake, Fakultetet pedagogjike të pranojnë studentët të cilët janë më të mirë”, deklaroi Avzi Mustafa, veteran i arsimit.

Nga ana tjetër, Subije Palloshi, njëra nga mësueset e para shqiptare në Tetovë, rrëfen misionin e saj për të shkolluar brezat e rinj gjatë viteve 50 në fshatrat e Tetovës.

Na caktuan në shkollën “Marshall Tito” në Tetovë, na pranuan aty. Aty mësonin edhe shqiptarë edhe maqedonas, më pas filluan dalë ngadalë të vijnë edhe shqiptarë dhe kështu filloi që të ngushtohet shkolla “Marshall Tito” dhe më pas u bë shkolla “Liria” u ndërtua që të hapet vend edhe për maqedonasit edhe për shqiptarët. Familjet kishin qejf që fëmijët të mësonin në shqip dhe të jenë me shkollë. 2-3 vite mbetëm në “Marshall Tito” më pas shqiptarët shkuan në shkollën “Liria” menjëherë shqiptarët kur vinin regjistroheshin në “Liri – tregon Subije Palloshi, Veterane e Arsimit.

Akademikë, profesorë, arsimtarë e mësues të shumtë, në vazhdimësi kritikojnë Ministrinë e Arsimit, për reformat që po ndërmerr, e që sipas tyre nuk ndikojnë në rritjen e cilësisë së arsimit.

Së fundmi dikasteri i Arsimit paralajmëroi një sërë reformash, si shkurtimin e orëve mësimore, heqjen e disa lëndëve mësimore, bashkimin e disa lëndëve në një të vetme si dhe shqyrtimin e programit të Kembrixhit. Pavarësisht paralajmërimeve, deri më sot asnjëra prej këtyre reformave nuk është zbatuar. / Alsat -M