Xhaferi: Mirënjohës për mbështetjen suedeze për eurointegrimet


Me takimin me kryetaren e Këshillit të Qytetit të Stokholmit, Eva-Luiz Erlandson Slorah, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi sot e filloi vizitën zyrtare në Mbretërinë e Suedisë.
Erlandson e informoi kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë për formimin e rrjetit të qyteteve evropiane Eurositis, dhe shfaqi shpresë se në të do të kyçen qytetet nga Maqedonia, me çka do të rritet mundësia për bashkëpunim. Xhaferi theksoi se autoritetet e Maqedonisë do të bëjnë gjithçka që t’i inkurajojnë për t’u kyçur në të.

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme për eurointegrimet e RM-së nga ana e Mbretërisë së Suedisë dhe më pas shfaqi shpresë se vitin e ardhshëm Maqedonia do të marrë rekomandim pa kusht për fillim të negociatave për anëtarësim në BE dhe do të bëhet anëtare e Aleancës së NATO-s.
E informoi Erlandson se Maqedonia, krahas përshpejtimit të proceseve eurointegruese, po punon edhe në avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke e theksuar me këtë rast marrëveshjen me Bullgarinë, dhe zgjidhjen e shpejtë të kontestit me Greqinë.
Në takim është bërë fjalë edhe për krizën e emigrantëve, me ç’rast kryetaren e Këshillit të Qytetit të Stokholmit e informoi Xhaferin se janë përkujdesur për 4.000 emigrantë, prej të cilëve 400 fëmijë.

Kryetari i Kuvendit të RM-së, me këtë rast potencoi se Maqedonia ka qenë në mbrojtësen e Bashkimit Evropian në rastin e krizës së emigrantëve, dhe se në bashkëpunim me BE-në, Fronteksin dhe Greqinë është ndalur vala e emigrantëve.
Në suaza të vizitës, është paraparë që kryetari i Kuvendit të Maqedonisë të ketë takime me kolegun e tij suedez, kryetarin e Riksdagut, Urban Alin, me ministren e Punëve të Jashtme, Margot Vallstrom, ndërkaq do të ketë audiencë edhe tek Mbreti i Suedisë, Karli XVI Gustav.
Xhaferi do të ketë edhe takime me nëpunës dhe hulumtues nga Shkolla për ekonomi në Stokholm, ndërkaq do t’i vizitojë edhe Muzeun Vasa dhe Muzeun Nobel.
Në delegacionin e kuvendit të Maqedonisë, të cilin e kryeson Xhaferi, janë edhe deputetët Frosina Remenski, Ejup Alimi dhe Fadil Zendeli.