“27 prilli”, mbrojtja kundërshton paraburgimet


Avokatët mbrojtës të të paraburgosurve Boris Damovski, Vllado Jovanovski dhe Goran Gjoshevski kërkuan nga Gjykata e Apelit anulimin e masës së paraburgimit për klientët e tyre, të cilët dyshohen për terrorizëm lidhur me zhvillimet e 27 prillit. Avokati i Damovskit kërkoi masa tjera nga gjykata, por Prokuroria Publike duke theksuar faktin se i njëjti posedon disa adresa banimi, paraburgimi është masa më e sigurt e mundshme. Ndërkohë avokati i aktorit Vllado Jovanovski kërkoi ndryshimin e masës nga paraburgimi në arrest shtëpiak duke u arsyetuar me gjendjen sociale të tij. Organi i akuzës nuk pranoi arsyetimin nën pretekstin se paraburgimi i tij është në favor me rrethanat e hetimit. Gjykata Apelit nuk ka pranuar asnjë nga tre ankesat që nënkupton se Damovski, Jovanovski dhe Gjoshevski mbeten në paraburgim.

Ditë më parë, avokatët e gjashtë deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit ankimuan vendimet për paraburgim dhe arrest shtëpiak, të cilat masa iu caktuan të martën. Mbrojtja njëzëri ka kërkuar që ankesat të shqyrtohen në seancë publike të Gjykatës së Apelit. Derisa avokatët e Sashe Vasilevskit, Ljuben Arnaudovit dhe Kërsto Mukoskit presin seancë publike për ankesat, ky i fundit vazhdon grevën e urisë në burgun hetues të Shutkës. Ankesat e tre deputetëve që ndodhen në arrest shtëpiak: Zhaklina Peshevska, Johan Tarçullovski dhe Lupço Dimovski do të bazohen në arsyet se ata nuk kanë ambicie për të ndikuar në hetim. Nga fakti që Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion të martën kërkoi paraburgimin e Dimovskit dhe gjykata nuk e pranoi, nuk përjashtohet mundësia që më kërkesë të Prokurorisë Publike, Gjykata Penale t’i ndryshojë masën nga arresti shtëpiak, në paraburgim.

Ndërkohë policia po punon në gjetjet edhe të 5 personave të cilët që nga 28 nëntori janë të pakapshëm për organet, e që me urdhër të Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion duhet të sillen para gjykatësit të procedurës paraprake. Aleksandër Vasilevski- Ninxha, Nikolla Mitrovski- Kolo, Dejan Davidovski- Desho, Mitre Pitropovski dhe Mlladen Dodevski janë personat për të cilët policia nuk ka informacion se ku gjinden. Javën që lamë pas, Gjykata Penale i caktoi masën e paraburgimit ish drejtorit të BSP-së Mitko Çavkov, udhëheqësve të protestave “Për Maqedoni të përbashkët”, agjentëve të DSK-së si dhe personave tjerë si të dyshuar për “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë” lidhur me zhvillimet e përgjakshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.

Alsat