“27 prilli”, dhjetëra qytetarë para Gjykatës në përkrahje të të akuzuarve

Alsat M Logo
DREJTPËRDREJT
“27 prilli”, dhjetëra qytetarë para Gjykatës në përkrahje të të akuzuarve 22 AUGUST 2018 / 12:35
Me surle dhe tupana qindra qytetarë para Gjykatës Penale japin përkrahje për të akuzuarit për ngjarjet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë nga 27 prilli i vitit të kaluar, rast për të cilin sot është caktuar seanca e parë gjyqësore.

Të pranishmit këndojnë këngë maqedonase “Evropa mafi” dhe “NATO fashistë”.

Për momentin arrijnë të akuzuarit, ndërsa para Gjykatës Penale ka sigurim të madh policor.

Lëndën, siç është paralajmëruar do ta udhëheq gjykatësja e Krimit të Organizuar Dobrilla Kacarska, për të cilën tashmë janë caktuar 37 termine për debat kryesor.

Prokuroria publike e Republikës së Maqedonisë, në mars të këtij viti publikoi se është parashtruar vepër penale kundër 30 personave, prej të cilëve 28 për kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë nga neni 313 i Kodit Penal, ndërsa dy persona për ndihmë gjatë kryerjes së veprës së njëjtë penale.

Sipas PPRM-së me veprën penale janë përfshirë tre persona, pjesëtarë të strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët si persona zyrtar të autorizuar ishin bartës të komandës “së artë” dhe të “argjendtë” si dhe persona të cilët ishin pjesëmarrës në një grup tjetër, si organizatorë të lëvizjes “Për një Maqedoni të përbashkët”.