Ziadin Sela ankohet për shantazhe dhe presione


Kryetari i Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela pas realizimit të së drejtës së tij qytetare në vendvotimin 1899 në shkollën fillore në fshatin Livadhi, tha se këto zgjedhje janë mjaft të rëndësishme për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit evropian.

“Qytetarët të dalin dhe të votojnë mënyrë të qetë. Ta japin votën e tyre për atë për të cilin kanë vendosur. Të votojnë për shtet juridik, të votojnë për shtet për të gjithë, për vazhdimin e rrugës drejt NATO-s dhe BE-së”, deklaroi Sela.

Lideri i Aleancës së shqiptarëve u ankua për shantazhe dhe presione si dhe propagandë të keqe ndaj kandidatit të tyre presidencial.“Për fat të keq këto ditë ishim dëshmitarë të shantazheve dhe presioneve të bërjes së propagandës së keqe, shumë të ulët nga ana e portaleve që janë të afërta me partinë në pushtet. Mënyrë e vetme që pushteti të distancohet nga këto terme është të funksionojë ligji dhe të dënohen”, tha Sela.Për pritjet për kandidatin e tyre presidencial, ai theksoi se kanë hyrë në garë për të fituar.