Zhernovski: Republika e Maqedonisë do të jetë vendi i 30-të anëtar i NATO-s


Në takimin e Komisionit të partneritetit të SHBA-Karta e Adriatikut, sot në nivel të ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare dhe vëzhguese të Kartës u miratua komunikatë e përbashkët, ku përshëndetet marrëveshja historike mes Maqedonisë dhe Greqisë, me theks se e njejta e hapë rrugën e vendit drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Në kumtesë përshëndetet vendimi i Aleancës për ta ftuar Maqedoninë t’i fillojë bisedimet inkuadruese për anëtarësim të vendit në NATO, duke uruar për hapat e ndërmarrë të vendit për zbatimin e procesit inkuadrues dhe përfundimit të suksesshëm të bisedimeve inkuadruese të Maqedonisë me Aleancën.

Ministrat inkurajuan për implementim të mëtutjeshëm të hapave që pasojnë, me çka do të mundësohet anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë në NATO.

Duke e cekur rëndësinë e pranimit të Maqedonisë në NATO, si vendi i 30-të anëtar i Aleancës, ministrat në komunikatë u angazhuan për mbështetje të fuqishme të mëtutjeshme, me bindje se me anëtarësimin e vendit në NATO dukshëm do të kontribuohet për siguri dhe stabilitet rajonal.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Andrej Zhernovski, gjatë paraqitjes së tij, e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të përforcuar të ndërsjelltë, duke e vënë theksin në nevojën për avancim të komunikimit dhe mbështetjes së mëtutjeshme të përbashkët si përgjigje ndaj sfidave të reja të sigurisë.

“Përkushtimi i fuqishëm i Qeverisë, këmbëngulja dhe energjia politike në përpjekjet që t’i realizojmë interesat strategjike të vendit tonë, u njohën nga partnerët tanë nga NATO-ja dhe BE-a dhe prandaj Republika e Maqedonisë do të jetë vendi i 30-të anëtar i NATO-s”, theksoi Zhernovski.

Ministrat të cilët morën pjesë në takim, si dhe Zhernovski, realizuan takim edhe me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ku u bisedua për gjendjen aktuale politike dhe sfidat e sigurisë me të cilat përballet.

Të pranishmit e riafirmuan nevojën dhe gatishmërinë për përforcim të bashkëpunimit të ndërsjelltë dhe përpjekjet e përbashkëta për kontribut të ardhshëm drejt sigurimit të sigurisë së mëtutjeshme dhe stabilitetit në rajon.

Vendi i ardhshëm kryesues me Kartën SHBA-Adriatik do të jetë Shqipëria.