Zhbogar: Vendi është i gatshëm që pikërisht tani të fillojë negociatat

Raporti që prezantova sot flet për ndryshimet dhe jam me të vërtetë shumë i lumtur që ka ndryshime në mënyrën e të menduarit dhe asgjë nuk e konfirmon më mirë këtë se takimi i sotëm, në të cilin në një tavolinë kemi pasur përfaqësues nga të gjitha partitë politike dhe të gjitha palët e interesuara që flasin për të ardhmen e këtij vendi në BE, tha ambasadori i BE-së në Maqedoni Samuel Zbogar pas dorëzimit të Raportit të Komisionit Evropian, presidentit të vendit në Vila Vodno.

Sipas Zhbogarit  kjo paraqet inkurajim për një kohë të re e cila vjen për vendin dhe për të ardhmen që e pret atë, duke e quajtur vendin , një vend unik në Ballkanin Perëndimor.

“Republika e Maqedonisë së Veriut është me të vërtetë një vend unik në Ballkanin Perëndimor, është unik në një mënyrë të veçantë. Parlamenti është i vetmi parlament në rajon ku opozita dhe qeveria ulen së bashku dhe diskutojnë ligjet që duhet të përmirësojnë shtetin dhe gjyqësorin, por edhe shteti i vetëm në rajon që nuk ka probleme me fqinjët e tij, por zhvillon marrëdhënie shumë të mira me ta jo vetëm me fqinjët, por me të gjitha vendet e rajonit”, tha Zhbogar.

Euroambasadori konfirmoi se rekomandimi është shumë i qartë dhe se të gjitha kushtet që janë parashtruar nga ana e vendeve anëtare të BE-së në qershor të vitit 2018 janë plotësuar për marrjen e datës së negociatave.

“Shteti është i gatshëm që pikërisht tani të fillojë negociatat. Gjithsesi procedura nuk duhet që të ndalojë këtu, reformat duhet të vazhdojnë dhe pres që ky entuziazëm të vazhdojë edhe në të ardhmen”, theksoi Zhbogar.