Zhbogar: Shpresoj se në qershor do të filloni negociatat për anëtarësim me BE-në


Фото: Б. Грданоски

Shpresoj se në takimin e Këshillit të BE-së në qershor, shtetet anëtare do të vendosin të hapin negociata me Maqedoninë e Veriut. Keni realizuar progres të madh, kur do të shikoni prapa do të shihni dallimin e madh- nga vendi e cili shihte armiq rreth vetes, tani është mike me gjithë ata.

Këtë e deklaroi sot shefi i Delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Samuel Zhbogar i cili sot ka mbajtur ligjëratë në Fakultetin e Sigurisë në Shkup në kuadër të Forumit diplomatik të fakultetit.

“Nga vend i cili kishte trazira politike, tani ka demokraci funksionale, Parlament funksional me opozitën e cila angazhohet për proceset reformuese, reformat në gjyqësi, ashtuqë shohim progres të rëndësishëm. Kuptohet edhe shumë gjëra mund të bëhen deri në qershor dhe me shpresë presim të shohim arritjet e juaja dhe të shohim çka do të ndodhë deri atëherë”, ka theksuar Zhbogar.

Duke komentuar nëse Ligji për Prokurorinë publike është një nga kriteret për hapjen e negociatave në qershor, Zhbogar ka thënë se ministrat e BE-së qershorin e kaluar kur e hapën rrugën për fillimin e bisedimeve vendosën kushte edhe për reforma dhe rezultate konkrete në sistemin e gjyqësisë.

“Prokuroria Publike Speciale tregoi arritje të mëdha, dhe për ne si BE dhe për gjitha shtetet anëtare është me rëndësi PSP-së t’i lejohet të kryejë detyrën e saj dhe të tregojë edhe më shumë arritje për lëndët gjyqësore”, ka thënë Zhbogar.

Ai ka shprehur pritje se të gjitha partitë politike do të gjejnë mënyrë që PSP-së t’i vazhdohet puna.

Madje, sipas Zhbogarit, në ligjëratën para studentëve të Fakultetit të Sigurisë në Shkup, tha se sfidë më e madhe me të cilën BE tani përballet është dukuria e nacionalizmit dhe Lëvizjeve anti-BE.

“Sfida më e madhe është qytetarët të sigurohen se Evropa e integruar nuk është kërcënim për sovranitetin kombëtar. Kjo veçmas ka ardhur në shprehje pas krizës së emigrantëve…”, ka thënë tutje Zhbogar, duke shtuar se nga këtu buron rëndësia e madhe e zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Evropian.

Nga ana tjetër, dekani i Fakultetit të Sigurisë Nikolla Dujovski ka porositur se ligjërata e Zhbogarit në këtë fakultet është me rëndësi, veçmas siç tha, “tani kur jemi në fazën e reformave serioze dhe përgatitjes së vendit për fillim të negociatave me BE-në, të mundësojmë të rinjve t’u japim parashikim më të gjerë për atë pse është me rëndësi kjo rrugë të forcohet në shoqërinë tonë.

Duke komentuar deklaratën e ambasadorit rus në BE, Vlladimir Çizhov se zgjerimi i NATO-s me Maqedoninë do të destabilizojë Ballkanin dhe do të thotë rrezik për sigurinë e Evropës, Dujovski ka thënë se zgjerimi i NATO-s me Maqedoninë e Veriut assesi nuk kupton rrezik për sigurinë.

“Në fakt nënkupton stabilitet shtesë për tërë rajonin dhe shtetin dhe shtetet tjera në rajon, pasi me anëtarësimin tonë në NATO do të rrumbullakohet një proces i gjatë që do t’u mundësojë vendeve anëtare të NATO-s dhe të gjithëve në rajon të përkushtohen në çështje tjera”, vlerësoi Dujovski.

Ligjërata e Zhbogarit në Fakultetin e Sigurisë në Shkup është në kuadër të Forumit diplomatik të fakultetit.

Pas ligjëratës ka pasur diskutime të studentëve dhe profesorët e fakultetit.

Aktiviteti është në kuadër të vënies së bashkëpunimit më intensiv të Fakultetit për Siguri- Shkup me përfaqësuesit diplomatik në vend.