Zhbogar për referendumin: Populli do t’i përjetojë pasojat e vendimeve, çfarëdo qofshin ato


“Referendumin e shoh si moment vendimtar sepse bëhet fjalë për ardhmërinë e shtetit”, kështu ka porositur ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar.

Në intervistën për Radio Evropën e Lirë në gjuhën maqedonase, Zhbogar ka thënë se qytetarët vendosin për ardhmërinë e shtetit, dhe janë ata që do t’i përjetojnë pasojat e vendimeve të tyre, çfarëdo qofshin ato.

“Ardhmëria është në duart e juaja, në duart e qytetarëve. Ata janë zotërinj të ardhmërisë. Ju keni dy ftesa në duar, përfshirë edhe nisjen e bisedimeve gjatë vitit të ardhshëm, por sigurisht njerëzit do të vendosin se çfarë do të bëjnë me ato thirrje. Ne do ta respektojmë vendimin të cilin do ta marrin njerëzit, por kjo më kujton në një proverb interesante për procesin zgjedhor në përgjithësi, dhe ajo është se njerëzit gjithmonë janë në të drejtë, sepse janë ata që duhet t’i përjetojnë pasojat e vendimeve të tyre, çfarëdo qofshin ato”, tha Zhbogar

Euroambasadori Zhbogar ka shtuar se referendumi i suksesshëm do të thotë ecje përpara e shtetit, dhe hap rrugën për nisjen e bisedimeve me BE-në ndërkohë që Skriningi del pozitiv.

“Javët dhe muajt e ardhshëm janë vendimtare për ardhmërinë e shtetit. Referendumin e shoh si monedhë që ka dy pjesë, njëra pjesë është ardhmëria euroatlantike, kurse pjesa tjetër është marrëveshja, i cili sërish i vendos themelet e raportet e ardhshme”, tha Zhbogar.

Duke komentuar mundësinë e dështimit të referendumit, dhe kthimin e fuqisë ruse në Maqedoni, Zhbogar ka bërë të ditur se Maqedonia me BE-në ka lidhje të fortë, dhe s’ka alternativë.

“Nuk dëshiroj të spekulojë për fuqi të huaja. Besoj në vullnetin e njerëzve, dhe e di se shumica këtu e shohin ardhmërinë në BE. Dëshirojnë të sundojë shteti i së drejtës, e bazuar në demokraci, dëshirojnë të shohin prosperitet, dëshirojnë të shohin ardhmëri të fëmijëve të tyre në shtet. Unë e di se ju keni lidhje të pandashme me Evropën, dhe në mënyrë kulturore, politike dhe ekonomike ju jeni pjesë e Evropës. Vetëm të theksoj, se rreth 80 për qind e tregtisë ekonomike, nga investuesit e huaj lidhet me BE-në dhe vendet anëtare të saj. Do të thotë se ka lidhje të fortë, dhe s’ka alternativë”, ka thënë Zhbogar.

Duke folur edhe për Planin e Skriningit që duhet të realizohet nga Qeveria e Maqedonisë, dhe në të cilin nuk dihet ende se a do të përfshihet opozitarja maqedonase, VMRO-DPMNE-ja, Zhbogar ka potencuar se bashkëpunimi opozitë-qeveri është i domosdoshëm për realizim të suksesshëm të këtij Plani.