Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nuhiu e vizitoi stacionin policor të Gostivarit

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu paradite ishte për vizitë pune në stacionin policor të Gostivarit që t’i transmetojë përkrahjen të punësuarve në ballafaqimin me të gjitha llojet e krimit.

Nuhiu i shoqëruar nga bashkëpunëtorët në takimin me komandantin dhe drejtuesit e stacionit të policisë të Gostivarit u informua për gjendjen dhe punën në rajonin e Gostivarit.

“Dua të them se ky stacion ka rezultate të mira dhe se në vitin 2018, së bashku me qytetarët, sektorin civil dhe mediat, do të hapim një front të ri për një luftë më të fortë dhe më agresive kundër të gjitha formave të krimit. Ne kemi vënë theks të veçantë në trajtimin e trafikimit dhe parandalimit të narkotikëve, veçanërisht në mjedise të tilla si shkollat”, tha Nuhiu.

Ai i pyetur për të komentuar fajësimet e kryetarit të Komunës së Gostivarit për komandatin e stacionit të policisë dhe punën e tij, në mënyrë decide u përgjigj se nuk ka vërejtje dhe se është i kënaqur nga puna e tij.

Komandanti i policisë së Gostivarit, Gazi Abduraimi, informoi se nata e Vitit të Ri kaloi e qetë, ndërsa njëkohësisht i falënderoi qytetarët për sjelljen e tyre shembullore. Ai në pyetjen e gazetarëve rreth vërejtjeve për punën e tij theksoi se tashmë është përgjigjur edhe në formë të shkruar.

Nga SPB Tetovë, informojnë se Nata e Vitit të Ri edhe në rajoni e Tetovës ka kaluar e qetë dhe pa incidente më serioze.