Zekiri: Sulejman Rexhepi ka familjarizuar BDI-në dhe merret me shantazhime


Muhamed Zekiri, deputeti i LSDM-së, ka folur dje në “Click Plus” në TV21 për deklaratat e tij nga foltorja e Kuvendit në drejtim të udhëheqësit të Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi.

“Ai merret me shantazhime të ndryshme dhe njerëzit nuk dalin të flasin publikisht. Ju e keni parë reagimin e qytetarëve. Ata nuk janë kundër BFI-së, por janë kundër Sulejman Rexhepit. Dhe ne të gjithë duam që ai institucion të punojë si duhet. Unë jam këtu si përfaqësues i mijëra votuesve dhe qytetarëve të Maqedonisë. Nuk kam frikë nga askush dhe nuk i iki ballafaqimit me askënd. Ndërsa ai është përfaqësues i 15 personave, kurse tani është bërë udhëheqës për vite me radhë. Të përjetshëm janë vetëm papa i Kishës Katolike dhe Ortodokse, ndërsa model tjetër nuk ka. Çështjet që kam ngritur në Parlament, janë shqetësim i besimtarëve muslimanë, të cilët ndoshta nuk e kanë guximin t’i thonë ato që i mendojnë. Jam i vetëdijshëm se Maqedonia është shtet sekular, mirëpo askush nuk mund të sillet sikur është i paprekshëm. Shteti nuk ndërhyn në asnjë institucion, por duhet të kontrollohet puna e tyre. Nëse ai është i pastër atëherë vetë duhet të ftojë organet për kontrolle. Ne nuk përzihemi në punën e tyre, por ka ligje në shtet dhe ligji duhet të vlejë njëjtë për të gjithë”, tha mes tjerash Zekiri dje në emisionin “Click Plus” në TV21.