Zekiri kërkon që PSP-ja të hetojë BFI-në për vizat e Haxhit


Deputeti i LSDM-së Muhamed Zekiri, sot për Makfaks deklaroi se ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që të hetojë nëse kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi, ka keqpërdorur vizat për shkuarje në Haxh.

Zekiri tha se ka kërkuar nga PSP që të hetojë nëse Sulejman Rexhepi ka biseduar ose bashkëpunuar me qeverinë e kaluar, ndërsa si bazë ka marrë raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për liritë fetare në vitin 2013, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Në raportin e DASH të vitit 2013 në mënyrë eksplicite thuhet se ai ka qenë i afërt me pushtetin e atëhershëm, që i kanë mundësuar kontakte konsullare me Arabinë Saudite, ndërsa vizat që i ka marrë i ka paguar nga 400 euro. Kjo tregon se udhëheqësi i BFI-së, Sulejman Rexhepi, ka keqpërdorur detyrën zyrtare”, tha Zekiri.

Ai shtoi se ka shumë njerëz që kanë konfirmuar dyshimet e tij, pasi në Haxh çdo vit shkojnë persona që vizat u janë paguar nga ana e Sulejman Rexhepit.