Zaevi reagon për vdekjen e 21-vjeçarit: Gjuha e urrejtjes e dëmton vendin


Kryeministri, Zoran Zaev, ka reaguar për vdekjen e 21-vjeçarit, Nikolla Sazdovski, i cili para disa ditëve u sulmua nga tre persona në Shkup.

Zaevi shkruan se urrejtja dhe dhuna nuk i përshtaten Maqedonisë dhe janë në dëm të drejtpërdrejtë të së ardhmes së shtetit dhe rinisë.

“Apeloj që të gjithë të përmbahemi nga gjuha e urrejtjes dhe jotoleranca. Vetëm kështu do t’ju japim mundësi institucioneve që ta kryejnë punën e tyre, për të cilën paguhen nga qytetarët. Drejtësia dhe toleranca në shoqëri janë qëllimet tona të përbashkëta, të angazhohemi plotësisht dhe me përgjegjësi t’i arrijmë”, shkruan Zaevi.

Ndryshe sot në Prokurorin Publike në Shkup duhet të dëshmojë një dëshmitar kyç vrasjen e të riut Nikolla Sazdovski. Dëshmitari në fjalë ka qenë i pranishëm në momentin e sulmit ndaj Sazdovskit, i cili mbrëmë humbi jetën në Klinikën e Shkupit. Nga Prokuroria theksojnë se pas asaj dëshmie por edhe pas rezultateve që do ti marrin nga autopsia, do të hapin hetim me klasifikim tjetër të veprës penale.

21 vjeçari, Sazdovski, ishte sulmuar më 29 qershor në lagjen “Avtokomandë” të Shkupit, dhe nuk arriti tu mbijetojë lëndimeve të shumta dhe dje vdiq pas 10 ditësh qëndrimi në koma.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme dje thanë se për rastin në fjalë janë arrestuar dy persona dhe u është caktuar masa e paraburgimit./RTM2