Zaevi i kënaqur nga rezultatet e deritanishme të projektit “TVSH-ja ime”


Kryeministri Zoran Zaev është i kënaqur nga rezultatet e deritanishme që i tregon projekti “TVSH-ja ime” që filloi nga 1 korriku.

Ai sot nga foltorja e Kuvendit informoi se vetëm në 23 ditët e para të fillimit të projektit gjithsej 135 mijë qytetarë e kanë shkarkuar aplikacionin, janë skenuar pesë milionë e 405 mijë e 182 kupona fiskalë, ndërsa vlera e kuponave të skenauar tatimorë është dy miliardë 768 milionë 341 mijë e 908 denarë. Përllogaritjet tregojnë se deri më tani te qytetarët duhet të kthehen 44 milionë e 927 mijë denarë.

U bëri apel të gjitha subjekteve juridike të japin kupona tatimorë, ndërsa qytetarët të vazhdojnë të kërkojnë kupona tatimorë sepse mund kthejnë para në lartësi prej 28.000 denarë.

Më 1 gusht, siç paralajmëroi, do të ketë prezantim të rezultateve të projektit.

Në gjashtë muajt e parë të vitit dhe 23 ditët e para të muajit, siç informoi, pagesa e TVSH-së është rritur për 6,6 për qind, ndërsa tatimi personal është rritur për 15,6 për qind. Ulje ka te tatimi i përfitimit, sepse zgjidhet një çështje administrative me “Xhonson Meti”-n  dhe për shkak të falimentimit të “Teto”-s. Janë rritur edhe kontributet për sigurim pensional dhe invalidor për 9,8 për qind, ndërsa kontributet  për sigurim shëndetësor për 8,9 për qind. Të ardhurat e përgjithshme në përfundim me 24 korrikun janë rritur për 8,6 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

“Kjo tregon se ekonomia po ringjallet dhe shkon përpara. Besoj se do t’i maksimizojmë rezultatet e tilla dhe është për të ardhur keq të kërkohet të ndërpritet ky proces që dikush të shkojë në zgjedhje”,tha Zaevi, duke shtuar se rezultatet do të jenë edhe më të mira me hyrjen në NATO dhe fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.