Zaev: Ta zgjidhim çështjen e prokurorisë publike deri më 15 tetor

Javën e ardhshme do të isha i gatshëm të takohem me shefin e opozitës për Ligjin për Prokurorinë Publike. Nëse bëjmë një hap të udhëhequr prej interesave të shtetit, mund të arrijmë marrëveshje, thotë kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Zaev është optimist se deri më 15 tetor, kur pritet vendim i ministrave të BE-së për ndarjen e datës për negociata për anëtarësim në BE, do të arrihet marrëveshje për Prokurorinë Publike.

“Pres se sapo të kthehem do të ketë diçka të përgatitur prej grupeve të punës, prej negociuesve prej të dyja palëve. Javën e ardhshme do të isha i gatshëm të takohem edhe me shefin e opozitës apo vetë grupet e punës ta bëjnë një takim. Kjo do të thotë se para këshillit ministror (të BE-së), diku më 15,16 tetor është mirë ta zgjidhim këtë çështje. Gjithsesi, asnjëherë nuk është vonë për një zgjidhje të tillë, por me vetë zgjidhjen do ta dërgojmë edhe një mesazh për pjekurinë tonë politike dhe demokratike se me të vërtetë edhe ajo që nuk është pjesë e raportit për vendin tonë, megjithatë, gjejmë mënyrë ta tejkalojmë”, thotë Zaev.

Sipas tij, në fund, kjo është e rëndësishme për ne në vend ta zgjidhim, që ta dimë se edhe më tej kemi garanci për pavarësinë e shtetit ligjor, prokurorë të cilët do të udhëheqin hetime që do të jenë të rëndësishëm, që ta rrisim edhe standardin ekonomik të qytetarëve.

Ai në intervistë thotë edhe se nuk do të dëshironte të bisedojë për zgjedhje të parakohshme, më së voni deri në fund të tetorit 2020. Vlerëson se duhet t’ua lë qytetarëve t’i ndjejnë përfitimet, prej, siç thekson, marrëveshjeve të mëdha integruese për në NATO dhe BE.