Zaev – Sela, “Aleanca për Shqiptarët” ose PDSH në Qeveri?


Java vendimtare për përfundimin e formimit të kabinetit qeveritar të Zoran Zaevit, kur kryeministri do të realizon takime të rëndësishme me partitë politike që janë të interesuara të bëhen pjesë e qeverisë, gjeti kampusin politik shqiptarë të përçarë dhe në konfrontim të përhershëm të brendshëm. Partitë politike shqiptare pas zgjedhjeve parlamentare dhe në veçanti lokale, harruan “Deklaratën e Përbashkët” dhe pikat e saj që ishin në interes të qytetarëve. Në këtë kontekst ishte dhe reagimi i fundit i kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari i cili në rrjetet sociale me vokabular të ashpër kritikoi kryeministrin Zoran Zaev, Ali Ahmetin dhe partinë e tij.

Taravari në rrjetet sociale shkroi se kryeministri Zoran Zaev shqiptarët i vëren vetëm si numra dhe kërkon ndihmën e tyre vetëm atëherë kur ka nevojë, me çrast vazhdon politikën antishqiptare të Nikolla Gruevskit. BDI, sipas Taravarit, është e pareformuar dhe paraqet urë lidhëse mes LSDM-së dhe VMRO – DPMNE-së.
“Kush është komode në qeveri?
Natyrisht BDI-ja, pasi ka shumë vjet që nuk e lëshon pushtetin, e kapur fort pas kolltuqeve herë të merituara dhe shpesh herë të uzurpuara, BDI-ja nuk është aspak rehat që të ketë një monitoruese në punën e saj të qeverisjes. BDI-ja nuk është mësuar që të ketë shqiptarë në qeveri të cilët ndihen të barabartë me të tjerët e të cilët duan të punojnë ndershëm!
BDI-ja kërkon formulën e vjetër por puna është që me sa duket edhe z.Zaev po jep sinjalet e një politike të vjetër nën petkun e një kinse reforme politiko-emocionale!
Ai flet shqip herë pas here-kështu bënte dhe Gruevski!
Ai thotë se shqiptarët duhet të jenë pjesë e shtetit-kështu bënte dhe Gruevski!
Ai vendos për shqiptarët me anë të maqedonasëve-kështu bënte dhe Gruevki!
Ai mban BDI-në të pareformuar si ortake të qeverisjes-kështu bënte dhe Gruevski!
I vetmi gjemb, e vetmja llogari që nuk iu del është prezanca e Aleancës për Shqiptarët në qeveri! Kjo është diçka e re, sidomos për BDI-në!
Zaevi refermoi qeverinë, ngriti zërin dhe denoncoi me të madhe “xhaketat e krimit” por çuditërisht BDI-ja, që le të themi ka qënë kravata e pushtetit të Gruevskit u la e pa prekur! Si mundet që një parti që shoqëroi Gruevskin në gjithë regjimin e tij të dalë kaq e pafajshme?!
Ku janë reformat brenda BDI-së?!”, mes tjerash shkroi Arben Taravari.

Një pjesë e analistëve shqiptarë shprehen të shtangur se si është e mundur që me aq lehtësi partitë politike shqiptare të harrojnë në marrëveshjet që kanë nënshkruar mes tyre, siç ishte “Deklarata e Përbashkët”, dhe ti japin aq shumë peshë se cili resor cilës parti do ti takon. Kryeredaktori i të përditshmes “Lajm” Isen Saliu për “Nezavisen Vesnik” deklaroi se është i pafalshëm fakti se partitë shqiptare aq lehtë u përfshinë në ndarjen e posteve qeveritare saqë i harruan marrëveshjet që i nënshkruan mes tyre.
“Partia dhe politika është interes, prandaj edhe nuk është diçka e pazakontë nëse ekzistojnë përçarje dhe mospajtime brenda partive politike, në këtë rast shqiptare, mes grupeve të ndryshme të interesit. Mirëpo lënia në hije e interesave të qytetarëve dhe marrëveshjeve të nënshkruara në interes të qytetarëve prej të cilëve marrin votën, për interea partiake e grupore, është diçka që nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë. Duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të fundit lkale, mendoj se përplasjet Sela-Memedi tashmë nuk janë përplasje brenda Aleancës për shqiptarët, sepse votuesit treguan qartë se cili është subjekti që e perceptojnë si ASH,” deklaroi Iseni.
Sa i përket spekulimeve për kthimin e eventual të gardës së vjetër të partisë dhe Musa Xhaferit në BDI, Iseni vlerëron që një hap i till nuk do të ndryshonte asgjë në BDI, pasiqë partia e Ahmetit nuk ka probleme kuadrovike por me kthimin e besimit të trupit votues.

Me qëndrim të ngjajshëm edhe analisti Artan Dika. Sipas tij BDI i frikësohet bashkëpunimit të mundshëm dhe formimit të koalicionit të ri mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa përshkak se vetëm në këtë mënyrë me shumë mundësi do ta humb gjënë më të shenjtë që ka kjo parti, e cila sipas Dikës, është qeveria.
“Deklarata e Përbashkët” siç theksoi Dika, nuk ishte asgjë tjetër veç se një lojë manipuluese e BDI-së që partinë e Ahmetit prej humbës në opnion ta shfaq si fitues.

“Ministritë mes partive në pushtet janë vendosur muaj më parë kur është formuar qeveria, ndërsa hapja sërish e kësaj çështje të vendosur është veprim në stilin e diplomacisë serbe. Pos kësaj ka edhe një kontradiktë të madhe në qëndrimin e BDI-së në deklaratat se nuk janë të gatshëm të votojnë kandidatin e Aleancës për ministër por shprehin gatishmëri të votojnë kandidatin e LSDM-së për këtë post, ndërkohë që akuzonin Lëvizjen Besa se nuk e votonte një kandidat shqiptar si Talat Xhaferri për Kryetar Kuvendi. Nga ana tjetër për çështjen e tryezës së përbashkët po del ajo që dyshohej në fillim, se ishte vetëm lojë manipuluese e BDI-së për të forcuar pozitat e veta. Nuk shoh ndonjë dallim gardash në BDI, mund të ndryshojnë në moshë ose në pamje por qëllimet dhe vendimet e tyre janë të njëjta. Në fund të fundit ata janë vetëm përfitues individual nga privilegjet e pushtetit ndërsa vendimet e kësaj partie dhe përgjegjësia kryesore për dëmet që kanë sjellë ato mbajnë vulën e kryetarit të BDI-së. Nëse ju përmendni Z. Musa Xhaferri, më duhet të them se shumë më i sinqertë e më pak i dëmshëm është Musa Xhaferri se sa një mashtrues kronik si Bujar Osmani. Është kuptuar tashmë ajo që ne kemi paralajmëruar rreth dy vite më pare, se Vesel Memedi është kolona e pestë brenda partive jo-BDI. Ai është i kapur nga strukturat e pushtetit dhe nuk ka si lëviz ndryshe. Mendoj se e gjithë kjo rrëmujë është pasojë e shqetësimit të BDI-së ndaj bashkëpunimit Aleanca-Besa. BDI-ja ndihet e rrezikuar në atë që e ka më të shenjtën: mbajtjen e pushtetit. Të gjitha matematikat e nxjerrin BDI-në humbëse në rast zgjedhjesh përballë koalicionimit Aleanca-Besa, prandaj BDI-ja është në gjendje të bëjë çdo gjë për ta mbajtur pushtetin “edhe me thonj”, ashtu siç e dëshmoi edhe në zgjedhje lokale duke nxjerrë kandidatë të përbashkët me LSDM-në, sepse e dinte se vetëm votat e saj nuk i mjaftojnë”, deklaroi Dika.

Sot kryeministri Zoran Zaev ka takim kyç me liderin e “Aleancës për Shqiptarët”, Zijadin Sela. Pritet që Zaev, Aleancës në shkëbim për “Shëndetësinë” ti ofrojë pozitë të re në kabinetin qeveritar, bëhet fjalë për resoin e zëvendëskryeministrit për reforma. Nuk përjashtohet mundesia që kryeministri Zaev të inicoj takim edhe me Menduh Thaçin për të diskutuar opcionet për kyçjen e mundshme të PDSH-së në qeveri.

Blerim Ismaili