Zaev: Personi që ka pasur detyrë të më vras, është në paraburgim

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka konfirmuar se më 27 prill në Kuvend është dashur të vritet ai, ndërsa për këtë ekziston edhe bisedë telefonike. Zaev, tha se personi që ka dashur ta likuidoj atë është në paraburgim.

“Për detajet besoj se organet e rendit do të japin njoftim ose do të na informojnë në periudhën e përshtatshme se si po rrjedhin proceset gjyqësore. Unë e di se njeriu që e ka marrë atë detyrë është në paraburgim”, ka thënë sot Zaev.

Javën e kaluar javorja Fokus publikoi se ekziston bisedë telefonike, e incizuar në disa muaj pas të enjtes së përgjakshme, e cila e zbulon skenarin e përgjakshëm.

Më saktësisht sipas Fokus, një nga bashkëbiseduesit e qorton tjetrin se përse nuk e ka vrarë Zaevin, ngase ashtu ka qenë marrëveshja.