Zaev: Përdorimi i gjuhës garantohet me ligj


E drejta e përdorimit të shqipes si gjuhë zyrtare është e drejtë e cila garantohet me ligj dhe kushtetutë, por edhe me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, ka deklaruar mbrëmë kryeministri Zaev, gjatë takimit që realizoi me tetovarët.

Sipas Zaevit, shoqëria në vend duhet të trajtohet e barabartë në çdo aspekt, qoftë etnik apo fetar. Nuk guxojmë t’i ndjekim praktikat e së kaluarës, që njëra palë duhet t’i kërkojë palës tjetër diçka për të cilën e ka të garantuar me ligj dhe kushtetutë. Andaj, kryeministri Zaev porositi edhe një herë presidentin që sa më shpejt të dekretojë ligjin.

“Dua edhe një herë tu kumtoj se jo për atë se për Zaevin kanë votuar 22 për qind e shqiptarëve – por kjo është çështja e fundit e Marrëveshjes së Ohrit, deri më tani është një e drejtë që nuk iu është mundësuar. Nuk ka më shqiptarë, turq, maqedonas etj, por ka qytetarë të Maqedonisë dhe gjithë qytetarët janë të obliguar të jenë të barabartë njëri me tjetrin pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Këtu flitet për implementimin e një të drejte që është në kushtetutë. Unë përcjell edhe njëherë porosinë se Ivanov ka edhe një vit mandat për ta dekretuar Ligjin, nuk është gjë e keqe kjo. Nuk do të përmbyset as toka e as qielli, gjithçka do të vazhdojë me normalitetin e vet. Ashtu siç është, situatë normale edhe pas Marrëveshjes që bëmë me Bullgarinë, Maqedonia vazhdon të jetë shëndoshë dhe mirë”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

Zaev edhe një herë ripërsëriti se premtimi gjatë zgjedhjeve për rritjen e pagave do të bëhet realitet. Sipas tij, rroga në Maqedoni do të rritet në 500 euro, ndërsa premtoi se deri në fund të këtij viti do të rritet edhe ndihma sociale nga 4200 në 11500 denarë. Zaev gjithashtu shtoi se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit të saj në NATO dhe në BE. (MRT)