Zaev për ANA-MPA: Zgjidhje që do t`i mbrojë dinjitetin dhe identitetin e të dyja palëve


Ndërtimi i besimit të ndërsjelltë dhe garanci se zgjidhja do të jetë përfundimtare dhe do t’i mbrojë dinjitetin dhe identitetin e të dyja palëve, janë pjesët më të rëndësishme të procesit negociues, thotë Zoran Zaev në deklaratën për agjencinë greke të lajmeve ANA-MPA.

Zaev theksoi se Shkupi nuk ka aspirata irredentiste dhe sipas agjencisë shtetërore, shtoi se “Aleksis Cipras është i sinqertë dhe beson se zgjidhja e problemit me emrin do të jetë zgjidhje e mirë për vendin e tij”, lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Athina.

“Ndërtimi i besimit mes të dyja palëve – atë që po bëjmë tani – dhe si do t’u garantojmë të dyja palëve se zgjidhja përfundimtare do të jetë e përhershme, se do t’i mbrojë dinjitetin dhe identitetin e të dyja palëve, është pjesa më e rëndësishme e procesit”, tha kryeministri Zaev për ANA-MPA gjatë vizitës së tij zyrtare në Berlin.

Lidhur me atë nëse ekziston mundësi për t’u arritur zgjidhje deri në Samitin e ardhshëm të NATO-s në korrik, Zaev thotë se ekzistojnë dallimet në çështjen për emrin, por ekziston edhe mundësi për zgjidhje, me garanci për popullin, e jo vetëm për politikanët.

“Ekziston mundësi të gjejmë zgjidhje, por vetëm nëse ndërtojmë besim dhe i japim garancitë e domosdoshme juridike në procesin negociues lidhur me atë se çka do të pranohet nga populli dhe jo të pranohet vetëm nga Zaev dhe Cipras apo nga Dimitrov dhe Koxias”, tha kryeministri i Maqedonisë për agjencinë greke të lajmeve.