Zaev: Pa pajtim brenda në vend nuk ka përparim


 Ne mund të jemi me shpresë të madhe për perspektivën e shtetit tonë, por nëse brenda në vend nuk i rregullojmë punët, ky do të jetë vetëm frenim për rritjen dhe zhvillimin tonë për avancimin e cilësisë së përgjithshme të jetës në vend. Në kohën kur u pajtuam edhe me fqinjët, vallë nuk mund të pajtohemi brenda në vend, tha kryeministri Zoran Zaev në mbledhjen kuvendore duke iu përgjigjur pyetjes së parashtruar nga deputetja Vesna Damçevska Ilievska nga VMRO-DPMNE.

Lidhur me vërejtjet e saja se procesi i pajtimit në Kuvend për ngjarjet e 27 prillit nuk po i jep rezultatet, ndërkaq polarizimi ende është i pranishëm në shoqëri, ai bëri thirrje për vazhdim të dialogut mes pushtetit dhe opozitës.

“Ka shumë çështje, përmes grupeve të punës mund të vazhdojmë t’i shqyrtojmë. E di se ekziston një dialog i caktuar, por duhet ta intensifikojmë sepse edhe takimet tona të shpeshta dërgojnë porosi të dobësimit të shoqërisë. Të flasim shumë më shpesh edhe për faljen edhe për pajtimin dhe ju bëj thirrje të gjithëve të kyçeni në atë trup koordinues nacional. Duhet të ketë pajtim edhe në gjyqësi… Kulminacioni ishte në Parlament dhe prej këtu duhet të fillojmë, por duhet të vazhdojmë në institucionet publike shtetërore, nëpër komunat e vendit, por edhe të fillojmë në degët rinore politike në çdo vend. Këtë që na ndodhi në shtet gjatë tërë periudhës së kaluar nuk do ta rregullojë dikush tjetër, nëse jo ne, përgjegjësit e parë”, tha kryeministri.

Tha se tashmë është formuar trupi koordinues nacional të cilin e kryeson kryetari i Kuvendit, ndërsa ndihmë ofron edhe komuniteti ndërkombëtar. Sipas tij, tani është koha që ky trup të vihet në funksion, ndërkaq siç theksoi, edhe ai edhe ministrat qëndrojnë në dispozicion për gjithçka që do të nevojitet.