Zaev optimist se do të gjendet zgjidhje për emrin në mënyrë dinjitoze për të dyja palët


Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev i cili sot me rastin e festës së Epifanisë – Ujit të bekuar qëndroi në Strugë dhe shprehu bindje se do të gjendet zgjidhje për problemin që e ka Greqia me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë.

“Unë jam optimist, besoj se mes dy vendeve, të cilat janë mike dhe kanë për qëllim të jenë edhe më të afërta, do të gjendet zgjidhje ku do të ruhet dinjiteti i të dyja palëve, ndërkaq do të jetë përfitim për qytetarët e të dy vendeve”, tha ai duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.

Ai vërejti se për thelbin e bisedimeve, propozimet, korniza që është dërguar nuk do të duhej të flitej publikisht në mënyrë që të mos shkatërrohen gjasat në negociata.

“Po shihni se po zhvillohet proces transparent, dëshirojmë me konsensus nacional ta ndërtojmë zgjidhjen dhe në fund të qytetarët në referendum ta konfirmojnë, jam i bindur se nëse jemi të kujdesshëm, e edhe të mbajmë llogari edhe për palën greke, do të gjejmë zgjidhje për këtë çështje që po na mundon 25 vite”, tha ai.

Sa i përket vendimit të presidentit Gjorge Ivanov t’i vendosë veto Ligjit për gjuhët, Zaev tha se gjithçka që është sjellë në Ligj në drejtim të avancimit të gjuhëve është në pajtim me Amandamentin 5 të Kushtetutës së RM-së.

“Është me vlerë të angazhohemi për një shoqëri për të gjithë, Maqedonia është nënë për të gjithë qytetarët, duhet të shtrijmë dorën, të kemi besim në institucionet. Nëse diçka nuk është në pajtim me Kushtetutën, ekziston Gjykata Kushtetuese, do të dalë me mendim dhe Komisioni i Venecies. Duhet të kemi kujdes të gjithë edhe me porositë sepse nevojitet që edhe kjo çështje politike të fashitet në mënyrë që të përkushtohemi për jetë më të mirë dhe perspektiva për të gjithë”, tha ai.

Kryetari i Qeverisë tha se është më se i kënaqur nga vizita e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Maqedoni, si dhe nga porositë inkurajuese që i transmetoi ai.

“Sekretari i përgjithshëm dërgoi porosi inkurajuese, por njëkohësisht kjo paraqet edhe obligim për zbatimin e reformave. Duhet t’i përpunojmë reformat, ato nuk janë kusht për në NATO, por ato janë kusht për gjendje të favorshme të qytetarëve dhe jetës së tyre. Duhet të punojmë në të, e dini se kusht është zgjidhja e problemit që e ka Greqia me emrin tonë kushtetues, por shpresoj se këtë vit Maqedonia mund ta marrë ftesën për të qenë anëtarja e 30-të e NATO-s”, tha Zaev.

Ai u bëri thirrje edhe qytetarëve edhe mediumeve të jenë të durueshëm.

“Duhet të jemi të përkushtuar, gjithçka që do të bëjmë, do të kontrollohet në referendum. Edhe ne edhe BDI edhe VMRO-DPMNE e edhe partitë e tjera politike kemi ose qëndrime të njëjta ose të përafërta rreth asaj çështje… Do të kemi kujdes për identitetin tonë, për dinjitetin e popullit tonë, por duhet të kemi kujdes edhe për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme”, theksoi ai.

Kryeministri me këtë rast konfirmoi se tashmë është arritur marrëveshje për takim me kolegun e tij grek Cipras më datën 24 të këtij muaji në Davos.