Zaev optimist për zgjidhjen e emrit


Kryeministri Zoran Zaev shprehet më optimist dhe pozitiv se kurdoherë për parë sa i përket zgjidhjes së çështjes së emrit. Ndryshe nga Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov i cili kurseu entuziazmin pas raundit të fundit të bisedimeve në Vjenë, Zaev beson se progresi i arritur tani mund të rumbullakohet me zgjidhje përfundimtare.

“Kam njohuri për të gjitha detajet dhe më vjën mirë që mund të konfirmoj se kemi hap pozitiv në bisedime. Gjithsesi është vetëm një hap. Kushtëzimi në bisedime mbetet derisa të arrihet marrëveshje edhe për çështjet të cilat tani përbëjnë një hap, pra kur do të zgjidhej çështja tërësisht…Një gjë e tillë jep mundësi që të dy minsitrat në mënyrë të hapur dhe miqësore të bisedojnë për çdo segment të çështjeve të ndjeshme në mënyrë që problemi i emrit të zgjidhet përfundimisht. Nëse më pyesni nëse jam më shumë apo më pak optimist dhe pozitiv, unë jam më pozitiv dhe më optimist pas këtij takimi”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Pavarësisht se ishte paralajmëruar takim liderësh, Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov për rrjedhën e bisedimeve i njoftoi liderët dhe krerët shtetëror në takime të ndara. Takim i liderëve sic njoftoi Zaev pritet të mbahet pas festës së Pashkëve me kërkesë të opozitës. Megjithatë nga VMRO DPMNE-ja hodhën poshtë mundësitë për cfarëdo lloj takimi.

“VMRO DPMNE-ja e njofton opinionin se nuk do të ketë takim të liderëve apo çfarëdo takimi tjetër lidhur me bisedimet për çështjen që Republika e Greqisë e ka me emrin tonë kushtetues”, thonë nga VMRO DPMNE.

Sikurse Dimitrov edhe kryediplomati grek Nikos Kocijas ka zhvilluar takime të ndara me liderët politik në Greqi. Kocijas sot ka takuar sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste, ndërkaq takime do të zhvillojë edhe me liderët e partive të tjera përveç kreut të partise Demokracia e Re i cili ka refuzuar takimin. Pas raundit të fundit të bisedimeve në Vjenë me ndërmjetësin Methju Nimic, Dimitrov dhe Kocijas pritet të takohen sërish pas festës së Pashkëve në të cilin siç paralajmëroi kreydipomati grek mund të hidhet “hapi i madh” drejt zgjidhjes.

Alsat-M