Zaev: Nuk jam dëgjuar me Janevën para se t’i marrin telefonin


Kryeministri Zoran Zaev sot në konferencën për shtyp deklaroi se ai nuk është dëgjuar me Katica Janevën para se t’i merrej celulari.

Ai u përgjigj në pyetjen e gazetarëve në lidhje me akuzat në disa media se mbrëmjen kur janë arrestuar Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski, Janeva para se t’i merrej telefoni ka folur me një ish diplomat të lartë dhe funksionar të lartë të Qeverisë.

“Mund të lexoni gjithçka. Nuk jam dëgjuar me Katica Janevën. Sot mund të lexoni gjithçka. Besoj se qytetarët mund të vlerësojnë se çka është çka, nëse diçka ka ndodhur këtë mund vetë ta konfirmoni do t’i pyetni personat kompetent, mund të pyetni disa diplomatë ose ish diplomatë, ashtu si më pyetet mua, por Prokuroria Publike kumtoi se ishte në shtëpinë e saj, nuk është kryer kontroll, por i është marrë celulari me qëllim që të shihet lidhja ose bashkëpunimi i saj me Bojan Jovanovskin, ose që të shihet se a ka qenë e keqpërdorur ajo”, tha kryeministri Zaev.

Zaevi theksoi se hetimi duhet të tregojë se cili është roli i Janevës dhe shtoi se derisa nuk dëshmohet se ajo është e përfshirë në krim,vlen prezumimi i pafajësisë.