Zaev: Nuk është e vërtetë se Tevdovski është ndërruar sepse nuk ka dashur të nënshkruajë hua për Qendrën e re klinike


Me replika dhe kundëreplika mes pushtetit dhe opozitës vijon debati i sotëm parlamentar ku po debatohet për propozimet e ministrave të rinj qeveritar.

Deputetët e opozitës kanë kritikuar se ministrat e propozuar nuk japin shpresë se do të jenë më të mirë se ata të mëparshmit. Sipas tyre, janë ndërruar ministra që sipas perceptimit të popullit kanë qenë më të mirë, ndërsa të tjerët janë ministra që janë vlerësuar më keq nga qytetarët. Kanë pyetur se pse nuk janë ndërruar ministrat për punë të brendshme, mbrojtje, për punë të jashtme…

“Në Qeveri kanë mbetur ministrat kryesor për tenderë dhe skandale”, tha koordinatori i VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski.

Bashkëpartiaku i tij, Ilija Dimovski publikisht e ka pyetur kryeministrin nëse është e vërtetë se ministri i Financave Dragan Tevdovski është ndërruar pas nuk ka dashur të nënshkruajë hua për Qendrën e re klinike me çka ka reaguar Zaev duke i hedhur poshtë këto informacione si të pasakta. Ai ka shtuar se Tevdovski çdoherë ka qenë “për” Klinikë të re dhe se për këtë publikisht ka folur.

Dimovski kërkoi nga kryeministri garanci se njerëzit që i propozon do të jenë më të mirë nga ata të deritanishëm, me çka Zaev u përgjigj se fitoren që do ta shënojnë në zgjedhjet e ardhshme do të jenë garancia më e mirë se zgjedhjet e reja kadrovike kanë qenë të suksesshëm.

“Cila është garancia se njerëzit e ri do të jenë më të mirë se ata deri tani? Garancia është kur do të fitojmë në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Zaev.