Zaev nga Qeveria e Turqisë kërkoi kuota për eksportin e mishit të viçit dhe qengjit nga Maqedonia


Kryeministri i Maqedonisë dhe ai i Turqisë, Zoran Zaev dhe Binali Jëlldërëm në pres konferencën e sotme publikisht i konfirmuan angazhimet për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve për të avancuar shkëmbin tregtar në një miliardë euro.

“E shfrytëzuam rastin që të kërkojmë, Qeveria e Turqisë të mendojë për të mundësuar kuota për Maqedoninë, që të eksportojë mish viçi dhe qengji, siç i është mundësuar Bosnjës, Serbisë”, ka deklaruar Zaev në pres konferencë.

Ai e falënderoi kryeministrin Jëlldërëm për ftesën për vizitën zyrtare dhe vlerësoi se ajo është mundësi që të dy vendet ta konfirmojnë miqësinë dhe ta përforcojnë bashkëpunimin.

“Dëshiroj të theksoj se me shqetësim të madh i kemi ndjekur ngjarjet tragjike të 15 korrikut të vitit 2016. E kemi dënuar përpjekjen për grusht shtetet dhe i kemi mbështetur institucionet e zgjedhura demokratike të Turqisë”, tha kryeministri i Maqedonisë, Zaev.

Theksoi se bashkë me kryeministrin Jëlldërëm, dhe dy delegacionet qeveritare, sot kanë biseduar për intensifikim të bashkëpunimit ekonomik midis Maqedonisë dhe Turqisë.

Ekziston, siç shtoi, interesim nga kompanitë turke për të investuar në Republikën e Maqedonisë, veçanërisht pas stabilizimit të gjendjes politike në vend dhe hapjes së perspektivave të vendit tonë drejtë Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Shefi i Qeverisë së Maqedonisë ka shprehur mirënjohjen për Turqinë për mbështetjen e madhe që ia jep vendit tonë në fushën e investimeve dhe për integrimin e Maqedonisë në NATO.

“Edhe investimet edhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO kanë rëndësi për zhvillimin ekonomik të vendit tonë, si dhe për plotësimin e qëllimeve tona strategjike dhe çdo mik i sinqertë i Maqedonisë është i çmuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për një mike të dëshmuar tradicionale siç është Turqia”, theksoi Zaev.

Ramë dakord, shtoi ai, që fuqishëm do të angazhohemi për hapjen e mundësive, për përmirësimin e bashkëpunimit edhe në të gjitha sferat e tjera të cilat janë me interes për qytetarët e dy vendeve tona.

“Pamë që në energjetikë, bujqësi, industri, ndërtimtari dhe në infrastrukturë, por dhe në mbrojtje dhe siguri, ekziston interes dhe potencial për thellim të bashkëpunimit dhe në këtë drejtim do të punojmë në periudhën vijuese”, theksoi kryeministri Zaev.

Ai në pres konferencë bëri thirrje publike për investitorët nga Turqia.

“Edhe njëherë edhe me këtë rast i bëj thirrje komunitetit të biznesit në Turqi, ejani, njoftohuni me mundësitë e reja për investim në Maqedoni, ai partneritet do të jetë në interes të qytetarëve të cilëve u nevojiten punësime të reja, por edhe përfitime në planin ekonomik, për të dy vendet”, porositi Zaev.

Kryeministri i Turqisë, Binali Jëlldërëm tha se është rritur interesimi i investitorëve nga Turqia për investim në Maqedoni.

Jëlldërëm shtoi se ka mundësi për thellim të bashkëpunimit në shkëmbimin tregtar prej një miliardë euro. Gjithashtu edhe se Turqia e mbështet Maqedoninë në integrimin në NATO dhe në BE